Mauricio Sarri fiton zemrat e tifozëve të Çelsit

schedule15:14 - 19 Gusht, 2018

schedule 15:14 - 19 Gusht, 2018

Tifozët e Premier Ligës angleze po kënaqen me futbollin e një trajneri të sapoardhur. Ky është italiani Mauricio Sarri, që po fiton ndeshjet dhe po luan bukur me Çelsin e Londrës.

Nuk dihet nëse kishte menduar këtë kur bleu klubin. Miliarderi rus, Roman Abramoviç, ishte manjak i spektaklit ndërsa zotëronte aksionet e Çelsit këtu e 15 vjet më parë, dhe ndoshta tani po mendon se po ia arrin qëllimit. Pasi provoi 11 trajnerë të përhershëm dhe 13 gjithsej, duket se mund të gjejë qetësi me Mauricio Sarrin. Italiani, që mori emër me Empolin e sidomos me Napolin në Serinë A, po i jep bluve, dora-dorës, stilin e tij të preferuar sulmues, gjithnjë pranë portës kundërshtare, që vërtet i lë tifozët me zemër në dorë për mbrojtjen, por i mbush me kënaqësi dhe emocion.

Suksesi 3-2 ndaj Arsenalit, në derbin më të madh të Londrës, ishte i dyti radhazi për Çelsin në këtë sezon të Premier Ligës, dhe ishte edhe më i bukur sesa triumfi i parë 3-0 në fushën e Hadërsfildit. Dominimi i vendasve në “Stemford Brixh” ishte total në pjesën e parë, por disa momente shkujdesjeje sollën barazimin 2-2. Vetë Sarri, por edhe tifozët e dinë se Çelsi është ende një skuadër në formim e sipër, me trajnerin që filloi punën vetëm në korrik. Gjithsesi, italiani u lumturua nga reagimi i lojtarëve të tij pas pushimit, derisa u arrit fitorja 3-2, me tre gola të shënuar nga futbollistë të ardhur nga Spanja, Pedro Rodrigez, Alvaro Morata dhe Markos Alonso.

Sidoqoftë, ishte edhe një yll, që u aktivizua vetëm 30 minuta, dhe që është padyshim më i madhi i londinezëve. Eden Hazar, ende jo në formën maksimale, hyri në fushë në kohën e duhur për të krijuar golin e tretë. Ai kërkohet nga Reali, por Sarri, nuk ka dyshim për të ardhmen. “Jam i sigurt se Edeni do të mbetet me ne, – ishin fjalët e tij pas ndeshjes, – kam folur pak kohët e fundit me të, por kemi folur më parë, dhe e di se nuk do të largohet”.

Për momentin, është vetëm një njeri i rëndësishëm që nuk po e sheh nga afër spektaklin e Çelsit, pronari Abramoviç që ka probleme me vizën britanike, por që ka premtuar se do t’i zgjidhë shpejt./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!