Kamioni me kokainë kaloi nëpër Shqipëri, ministri maqedonas: Sasia ishte e madhe, ne kapëm 1 kg

schedule13:18 / 20/02/2020

Një kamion me kokainë që kaloi nëpër dy dogana shqiptare u kap mbrëmjen e djeshme në Maqedoninë e Veriut. Mediat raportuan se ka patur në total 1.3 ton kokainë. Ndërsa ministri teknik për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Naqe Çulev deklaroi se gjatë aksionit të mbrëmshëm në Krushopek të Sarajit është konfiskuar vetëm 1 kilogram kokainë. Ndërkohë që janë arrestuar 4 persona të cilët janë ndaluar në stacionin policor. Bëhet fjalë për operacion ndërkombëtar, ku janë përfshirë disa vende.

“Në shtetin tonë është konfiskuar vetëm një kilogram, sasia tjetër është në shtet tjetër, bëhet fjalë për një sasi të madhe por nuk mund ta them për të mos dëmtuar hetimin. Ditëve në vijim do të mësoheni me detajet por edhe sasinë e drogës”, tha Çulev duke mos shpalosur më shumë detaje nën arsyetimin se dëmton procesin hetimor.

Pra sipas tij, pjesa më e madhe është kapur në një shtet tjeter ku ka kaluar kjo maune, por pa e specifikuar se për cilin vend bëhet fjalë.

“Gjithçka që do të shtoja, vetëm se do të dëmtoja hetimin. Këto që thuhen këtu janë oficiale, gjitha tjerat janë spekulime”, tha Çulev.

Burime për ABC News kanë thënë se sasia e drogës ishte e fshehur në një maune me banane, që ka hyrë që dje nga dogana e Hanit të Hotit dhe ka dalë ne Qafë Thanë, për të udhëtuar drejt Maqedonisë. Besohet se destinacioni final i lëndës narkotike ka qenë Sllovenia.

Shoferi ka ndaluar për të bërë një pushim 20 minuta në aksin Elbasan-Librazhd, ndërsa kokaina u zëvendësua me allçi dhe paracetamol në Itali.

Autoritet tona e kanë mbajtur nën vëzhgim, pasi kanë patur informacion për kamionin, dhe e kanë lejuar që të kaloje në Shqipëri në koordinim me të gjithë autoritetet ndërkombëtare të përfshira në këtë operacion. Në këtë aksion kanë marrë pjesë DEA Amerikane, Guardia di Financa, policia shqiptare dhe autoritete të tjera të vendeve fqinje. /abcnews.al

schedule13:18 / 20/02/2020