Maturantët i nënshtrohen sot testit të Matematikës. Rreth 32 mijë maturantë do të ulen në bankat e shkollës për të testuar njohuritë e marra në këtë lëndë përgjatë 3 viteve.
Provimi nuk do të zgjasë 2 orë, siç ndodhi me Letërsinë, por 2 orë e 30 minuta, duke u plotësuar kështu një nga kërkesat e maturantëve. Provimi nis në orën 10:00 dhe do të përfundojë në 12:30.
Siç raporton gazetari Maksi Rama për abcnews.al, maturantët kanë filluar të grumbullohen në oborret e gjimnazeve të tyre ku i nënshtrohen masave në kuadër të pandemisë, siç është matja e temperaturës.
Maturantët kanë paralajmëruar se pas përfundimit të provimit të matematikës do të protestojnë përsëri përpara Ministrisë së Arsimit.
Provimi i Letërsisë i zhvilluar përpara disa ditëve ka sjellë protesta nga ana e gjimnazistëve por edhe diskutime të shumta nga analistë e politikanë, dhe nga ekspertë të Gjuhë-Letërsisë.
Më 18 qershor maturantët do t’i nënshtrohen provimit të fundit të lëndës me zgjedhje./abcnews.al