Në një intervistë për serben Tanjug, i ngarkuari për çështjet e Ballkanit perëndimor, Metju Palmer, u shpreh se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë mbetet pika qendrore e një marrëveshjeje të mundur mes palëve.
I ngarkuari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Metju Palmer u shpreh se zgjidhja e çështjes së Kosovës mbetet prioritet në axhendën e tij të punës. Në një intervistë për median serbe, Tanjug, Palmer deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që të ndodhë njohja e ndërsjelltë Kosovë-Serbi, si pikë qendrore e marrëveshjes.
Ai theksoi se synonte që të kthejë Beogradin dhe Prishtinën në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur dhe të sigurojë një marrëveshje.
“Ne kemi zgjedhje në Kosovë më 6 tetor, dhe ato do të mbahen në Serbi në pranverën e ardhshme. Ne do të kemi mundësinë që të vazhdojmë negociatat midis dy zgjedhjeve, të cilën duhet ta shfrytëzojmë. Shpresojmë që të dyja palët të shfrytëzojnë këtë mundësi”, është shprehur ai, duke shtuar se shpreson që Qeveria e re e Kosovës të pranojë të pezullojë tarifat ndaj produkteve serbe dhe Beogradi të ndalë lobimin tek shtetet e tjera për të tërhequr njohjen e Kosovës. /ABC News Albania 24/7

