Materiale vetë-shëruese për pajisjet hapësinore

schedule17:21 - 9 Gusht, 2021

schedule 17:21 - 9 Gusht, 2021

Shkencëtarët po prodhojnë materiale të reja për të mbrojtur anijet e hapësirës të gjeneratës së ardhshme nga elementët e ashpër në hapësirë. Ndërkohë, një sondë ruse e ankoruar në stacionin e hapësirës ndezi aksidentalisht motorët shtytës duke ndryshuar për pak kohë orientimin e stacionit. Korrespondeti i Zërit të Amerikës Arash Arabasadi sjell në vazhdim disa nga të rejat e fundit të zhvillimeve hapësinore të javës që lamë pas.

Atmosfera e Tokës, siç shihet nga një kapsulë transporti SpaceX, ofron një pamje magjepsëse. Orbita e Tokës është e mbushur me mbeturina të rrezikshme hapësinore që mund të dëmtojnë satelitët dhe pjesët e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor.

Shkencëtarët në Angli po përpiqen të ndërtojnë polimere të reja për të zgjatur jetëgjatësinë e pajisjeve të dërguara në hapësirë. Stuart Donovan Holmes është shef i mbrojtjes dhe hapësirës në Qendrën Kombëtare të Materialeve Përbërese në Bristol. Ai i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se programi pilot teston materiale që u rezistojnë kushteve të vështira në orbitën e Tokës.

“Pajisjet në orbitë goditen nga rreze ultra-vjollcë, copëza dhe pluhur hapësinor. Reagimet e tye në sipërfaqen e pajisjeve në orbitë kanë pasoja të padëshirueshme. Ndaj ky program po teston kombinimin e përbërësve të ndryshëm për të parë se çfarë funksionon në atë mjedis”.

Për ta bërë këtë, Qendra Kombëtare e Materialeve Përbërëse po bashkëpunon me studiuesit në Universitetin Bristol. Profesor Ian Hammerton shpjegon punën që po bëhet.

“Kemi një polimer që në thelb vetë-shërohet, kështu që kur e ekspozojmë në mjedisin e orbitës së ulët të Tokës, materiali reagon me oksigjenin, ai reagon ndaj këtyre radikalëve dhe në thelb prodhon një shtresë mbi sipërfaqen e tij. Pra, bëhet pothuajse si një guaskë mbrojtëse mbi sipërfaqen e polimerit, duke mbrojtur edhe pjesët poshtë tij”.

Profesori thotë se disa materiale që aktualisht janë në përdorim janë përbërës metalikë të prodhuar që nga Lufta e Ftohtë. Ai thotë se materialet e reja më të lehta dhe më të forta mund të përdoren për panelet diellore ose sistemet strukturore. Shkencëtarët do t’i testojnë polimeret në mjedisin hapësinor verën që vjen.

Javën që lam pas kozmonauti Oleg Novitsky shkroi në rrjetin Twitter ‘Mos u shqetësoni’ pasi sonda ruse ndezi gabimisht motorët duke bërë që Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar të lëvizte 45 gradë. Kjo ndodhi vetëm disa orë pas ankorimit. NASA shkroi në Twitter se ndryshimi ishte më shumë se 540 gradë. NASA tha se stacioni ishte në gjendje të mirë dhe po funksiononte normalisht.

Po ashtu kanali televiziv muzikor MTV mbushi 40 vjeç. Me këtë rast, MTV ritrasmetoi videoklipin ikonë të një astronauti në hënë që mban flamurin e kanalit MTV. Pamjet e NASA-s janë nga ulja e anijes Apollo 11 në vitin 1969, ndërsa flamuri i kanalit MTV është montuar në studio për efekte artistike dhe muzikore për të nënkuptuar se muzika tejkalon çdo kufi./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!