Vendimi i qeverisë për të bërë të detyrueshme përdorimin e maskave edhe në ambiente të hapura dhe në rast mosrespektimi do të aplikohen gjobat, ka shkaktuar debat të gjerë. Në një lidhje me Skype nga Zvicra në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, epidemiologu Taulant Muka tha se ky vendim ishte i nxituar që nuk bazohet në analiza shkencore.
Duke marrë shkas nga shumë qytetarë që përdorin maskat prej cope, Muka tha se studimet kanë treguar se nuk janë shumë efikase. “Ka shumë diskutime në lidhje me maskat prej cope. Ka patur një studim që tregohej se nuk e ulin nivelin e aerosoleve, por mund ta rrisin pasi këto maska lëshojnë fibra dhe përmbajtja prej cope mund të jetë e ndryshme.”, tha ai.
“Nuk them se nuk duhet përdorur por nuk ka treguar efikasitet dhe nuk duhet bërë me detyrim. Vendosja me detyrim nuk është një vendim shkencor por politik. Në Shqipëri bëhen disa masa që janë kundër shkencës, dhe fëmijët nën 12-vjeç mbajnë maska në klasa, gjë që nukl ndodh në asnjë vend të Europës.”, shtoi më tej Muka.
Ndërkaq, i pyetur nëse përdorimi për një kohë të gjatë i maskave sjellë efekte anësore, ai tha se nuk është vërtetuar shkencërisht që mund të ndikojë. Gjithashtu, ai shtoi se lagështia gjatë kësaj periudhë mund të ndikojë në funksionimin e maskave pasi dëmton përbërjen e tyre. xh.d/abcnews.al