“Maskat” e armatosura dhunojnë të riun në një lokal në Krujë, shoqërohen disa persona

schedule12:37 - 19 Shkurt, 2021

schedule 12:37 - 19 Shkurt, 2021

Një ngjarje e frikshme ka ndodhur dy ditë më parë në një lokal në Krujë ku disa persona të maskuar, të armatosur kanë hyrë në një lokal dhe pasi i kanë kërkuar klientëve të mos lëvizin kanë rrahur barbarisht një të ri. Nga pamjet e publikuara nga Syri Tv duket edhe momenti kur ata e kanë tërhequr atë në mes të lokalit duke e qëlluar disa herë me sende të forta.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe policia e cila ka bërë me dije se i riu është dërguar në spital ku pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore është larguar për një banesë. Ndërkohë policia ka shoqëruar disa persona të dyshuar ndërsa janë administruar edhe pamjet filmike. Tashmë hetimi i kësaj ngjarje po drejtohet nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë.

“Në lidhje me disa pamje filmike të publikuara në media, ku shfaqen disa persona duke dhunuar një shtetas në një lokal, ju sqarojmë se: Më datë 17.02.2021, në orën 19:40, në ambientin e një lokali në Fushë Krujë, kanë hyrë disa persona ende të paidentifikuar (dyshohet të armatosur), të cilët kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar lëndime në kokë shtetasit E. E., 30 vjeç, banues në Fushë Krujë, i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore, është larguar në banesën e tij.

Menjëherë pas kallëzimit të bërë nga shtetasi E. E. është ngritur një grup i posaçëm hetimor i përbërë nga specialistë për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë dhe specialistë për Hetimin e Krimeve në DVP Durrës, të cilët kanë bërë shoqërimin e disa shtetasve të dyshuar dhe në cilësinë e provës materiale janë administruar disa pamje filmike.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë vijojnë punën intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje”, njofton policia./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!