Mashtruesit “ukrainas” te Exchange/ Shkodër, dy të rinjtë vodhën 100 mije euro në piken e shërbimit

schedule15:09 - 10 Gusht, 2024

schedule 15:09 - 10 Gusht, 2024

Policia e Shtetit, është vënë në kërkim të dy personave që dyshohen me origjinë ukrainase  të cilët janë përgjegjës të disa vjedhjeve me shuma të konsiderueshme parash, me anë të mashtrimit në pika “Exchange”. Rasti më i fundit është ai i pasdites së të premtes në Shkodër kur dy personat në moshë relativisht të re kanë mundur të vjedhin një shumë të madhe eurosh në një pikë shërbimi.

Siç duket edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë dy personat rreth të 30-ave, me kapele në kokë, kanë hyrë brenda pikës së shërbimit dhe kanë kërkuar këmbimin e një shume të konsiderueshme të parave në euro. Por ndërsa punonjësi i ka bërë gati eurot të ndara në dy zarfe, ka pritur që dy të huajt t’i jepnin në këmbim shumën e parave. Ata kanë marrë zarfet me euro dhe i kanë dorëzuar punonjësit disa zarfe të cilat i mbanin në një çantë të zezë, por brenda tyre kanë qenë fletë të printuara në formë lekësh, dhe jo para që vlejnë. Shuma që kanë arritur të marrin në këtë exchange, sipas të dhënave nga policia, është afro 100 mijë euro.

Policia po heton edhe dy ngjarje të ngjashme në Durrës dhe në Tiranë, pasi dyshohet që autorët të jenë të njëjtët. Më datë 7 gusht në qytetin e Durrësit, dy persona me kapele dhe me një çantë të zezë kanë tentuar që me anë të mashtrimit të marrin një shumë eurosh në një pikë Exchange. Por mashtrimi është kuptuar nga pronarët, dhe të dy janë larguar me shpejtësi pa e finalizuar planin e tyre.

E njëjta skemë mashtrimi u krye në një pikë këmbimi valuator në Tiranë, edhe me datë 7 qershor, ku në zonën e pazarit të ri, dy persona me kapele dhe me një çantë të zezë, që ishin prezantuar po si Ukrainas, arritën të marrin 42 mijë euro. Pronari i kësaj pike Exchange, e kuptoi vonë mashtrimin, kur pa se në zarfet e dorëzuara kishte letra të printuara dhe jo para.

Pamjet e dy mashtruesve u janë shpërndarë drejtorive të ndryshme të policisë, por edhe në pika kufitare për të bërë të mundur kapjen e tyre.