Mashtronin të huajt për të investuar në bursa fiktive, arrestohet pronari i Call Center-it dhe 2 punonjës në Tiranë

schedule09:52 - 9 Korrik, 2022

schedule 09:52 - 9 Korrik, 2022

Pronari dhe dy punonjësit (operatorë) të një Call Center-i në Tiranë janë arrestuar, pasi mashtronin shtetas të huaj për të investuar në bursa fiktive (Forex).

Gjithashtu janë proceduar penalisht 3 shtetas të tjerë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt.

Policia njofton se ka sekuestruar 4 aparate celulare, shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, si dhe lista me të dhënat e shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Snare”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– Enrik Shehi, 29 vjeç (administrator i subjektit call center), Armend Haxhiu,., 26 vjeç dhe Igli Isufaj, 20 vjeç (operatorë në call center), të tre banues në Tiranë.

Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit E. S., 25 vjeç, G. R., 22 vjeç dhe A. H., 18 vjeç, të tre banues në Tiranë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se Enrik Shehi, administronte, në bulevardin “Gjergj Fishta”, një subjekt privat call center, të paregjistruar në organet kompetente.

Në vijim të veprimeve ka rezultuar se shtetasit A. H., I. I., E. S., G. R., dhe A. H., të punësuar si operatorë në subjektin call center, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursë fiktive (Forex).

Si rezultat i operacionit, u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 aparate celulare, shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, si dhe lista me të dhënat e shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar për të investuar në bursa fiktive.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të, si dhe konfiskimin e aseteve që kanë burim këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Mashtrimi”, “Ushtrimi pa licensë i veprimtarive financiare” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!