Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar ekstradimin e turkut Faruk Fatih Özer. Kërkesa që abcnews.al disponon është depozituar nga organi i akuzës në gjykatë.
Ekstradimi i tij është kërkuar nga autoritetet turke. Faruk Fatih Özer akuzohet në vendin e tij për mashtrim me kriptomonedhat.
Ai u arrestua më 30 gusht të këtij viti, teksa ishte duke pushuar në plazhin e Himarës. Shtetasi turk, themelues i një platforme online për këmbimin e kriptovalutave, Thodex, mbylli papritur aktivitetin, në prill të vitit të kaluar, pasi kishte grumbulluar një shumë prej 2 miliardë dollarësh nga 391 mijë investitorë.
Ozer ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, ndërsa Gjykata e Lartë e Stambollit kishte lëshuar ndaj tij urdhër arresti në vitin 2021, për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.
I riu, kishte mbërritur në Shqipëri më 20 prill 2021, përpara se autoritetet e vendit të tij të viheshin në lëvizje. Një ditë më pas, në platformën Thodex, investitorët lexuan një njoftim të pazakontë për pezullimin e përkohshëm të aktivitetit “për shkak të një investimi të rëndësishëm”.
Pas këtij njoftimi ata u alarmuan, pasi nuk u mundësohej më qasja në portofolet e tyre. Më 23 prill 2021, autoritetet turke arrestuan 62 persona të lidhur me Thodex, dhe disa të tjerë u shpallën në kërkim. /abcnews.al