Katër persona ranë në pranga, 4 të tjerë u lanë në arrest shtëpie dhe një tjetër u shpall në kërkim pak ditë më parë për një mashtrim me mikrokreditë. Bëhej fjalë për 9 persona, administrator të subjekteve financiare dhe përmbarues privatë, të cilët akuzohen për veprën ‘Skema mashtruese dhe piramidale’.
Deputeti socialist, Erion Braçe deklaroi në emisionin “Real Story” në ABC News se aktiviteti i kreditimit ekziston në çdo vend të botës. Ai thotë se është një aktivitet me risk, teksa përmendi edhe krizën e disa viteve më parë në SHBA. Ai thotë se ajo që e ka “vrarë” këtë proces është mungesa e transparencës.
“Aktiviteti i kreditimit ekziston në çdo cep të botës, licensohet përkundrejt që vendos banka qendrore e një vendi dhe kontrolli që ushtron. Është aktivitet i ligjshëm, ashtu si aktiviteti i shitjes së borxheve për të ulur masën e kredive të këqija në sistemin bankar por edhe për të ulur shpenzimet e tyre sepse kanë shpenzime ekstra të mëdha, për të ngritur struktura brenda tyre për të mbledhur borxhin e keq dhe është një aktivitet që ndodh në të gjithë botën. Është me risk, po. Krizën në 2008 në SHBA e shkaktuan këto gjëra. Ekziston rreziku që mund të ndodhë të bjerë prapë në atë kolaps. Janë aktivitete të ligjshme.
Nga 26 shoqëri kursim krediti, vetëm 5 prej tyre janë marrë me aktivitetin e shitblerjes së borxheve të këqija. Borxhe që i kanë blerë te bankat, ashtu siç janë borxhe të këqija edhe të shoqërive të mikrofinancës, që përsëri si bankat, kanë vendosur që këtë aktivitet më mirë ta shesin, kredinë e keqe me humbje, sesa ta kenë kosto brenda bankës apo të prishin imazhin e tyre. Këto 5 shoqëri menjëherë kanë marrë borxhin që unë, ti, e kushdo tjetër e ka pasur në një bankë apo në një shoqëri tjetër të mikrofinancës. Si e kanë blerë? Principal, interesa dhe penalitete. Kanë kërkuar ristrukturim të kredisë dhe ka ndodhur dhe kanë rritur dhe ulur interesat. Ajo që e ka vrarë procesin është mungesa e transparencës. Ai zotëria që banka e tij e ka shitur kredinë e tij, dhe në kushtet kur kanë ristrukturuar kreditë në mënyrë të njëanshme pa vënë në dijeni, kanë bërë të mundur që unë të mos paraqitem para bankës për të paguar këstin. Kanë futur në sistem penalitete të rënda.“, tha Braçe./abcnews.al