Mashtrimet me mikrokreditë/ Nunaj: Institucionet financiare duhet të ishin kontrolluar. Ata që shkelin rregullat, duhet të mbyllen

schedule14:22 - 23 Maj, 2024

schedule 14:22 - 23 Maj, 2024

Katër persona janë arrestuar, 4 të tjerë janë lënë në arrest shtëpie ndërsa një tjetër është në kërkim pas urdhër arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Tiranës për një skemë mashtrimi me mikrokreditë. Bëhet fjalë për 9 persona, administrator të subjekteve financiare dhe përmbarues gjyqësor privatë.

Sipas prokurorisë, ata akuzohen për veprën penale ‘Skema mashtruese dhe piramidale’. Tre shoqëri përmbarimore dhe dy institucioneve financiare në bashkëpunim me një noteri si edhe disa avokatë krijuan skemën e shtrëngimit të debitorëve nëpërmjet procesit përmbarimor për marrjen e kredive të reja.

Ekspertja për ekonominë, Teuta Nunaj, duke folur për këtë çështje në emisionin “Money Report” me gazetaren Genta Dobra, tha se kontrolli ndaj këtyre institucioneve financiare duhet të jetë më i fortë. Ajo thotë se konsumatori duhet të mbrohet dhe se institucionet që shkelin rregullat duhet të mbyllen.

“I gjithë ky proces është lënë të zhvillohet deri në momentin kur  bëhet e madhe ngjarja ndërkohë që janë institucione që janë të monitorueshme përfshirë dhe Bankën Qendrore. E dyta, kemi të bëjmë me pjesën e kredive për banesa. Në tregun imobiliar, 50-60 pë rqind e banesave blihen përmes kredive dhe e dyta sistemi bankar, bankat e nivelit të dytë nxjerrin në fund të çdo viti kreditë e këqija që përfshihen edhe këto kredi që nuk janë shlyer ngas qytetarët por për arsye pamundësie, këto kredi kanë kaluar te pjesa e marrjes në pronësi nga ana e bankës dhe kanë si qëllim që ta shesin. I gjithë ky proces zhvillohet dhe nuk ndodh sot. Në këtë rast, duheshin kapur problematikat që në momentet e para, identifikimin e këtyre kredive të këqija dhe më tej se çfarë ndodh me këta banesa”, tha Nunaj.

Sipas saj, Banka e Shqipërisë nuk duhet të mjaftohet thjesht me dhënien e licencës ndaj këtyre institucioneve financiare por duhet të bëjë kontrolle të rregullta gjatë aktivitetit të tyre.

“Në këtë rast qoftë Banka e Shqipërisë apo institucionet mbikëqyrëse kanë për detyrë t’i kontrollojnë aktivitetet e institucioneve që ofrojnë një shërbim financiar. Nëse do të mbyllet po, sepse kanë cenuar besimin e publikut dhe kanë dëmtuar atë. Të merren masa që të mos ketë vjedhje të tjera. Në të tilla raste, është mos t’i lejosh që të ndodhin këto ngjarja. Në këtë rast vë theksin te rëndësi që duhet të ketë bashkëpunimi midis Bankës qendrore, institucioni që i licenson. Nuk duhet të mjaftohesh vetëm me faktin që i dhe të drejtën për të ushtruar një aktivitet financiar“, shtoi ekspertja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!