Mashtrimet e agjencive të udhëtimeve, si funksionon skema “fantazmë” në Tiranë

schedule15:49 - 3 Dhjetor, 2018

schedule 15:49 - 3 Dhjetor, 2018

Sa vjen e rritet numri i denoncimeve pranë krimit ekonomik në Policinë e Tiranës, nga qytetarë të mashtruar nga agjencitë e udhëtimit, gjatë muajit Nëntor. Për të shmangur skema të tilla, ekspertët sugjerojnë që qytetarët të konfirmojnë biletat pranë kompanive ajrore, ose t’u drejtohen agjensive serioze.

Vetëm dy javë kjo agjenci udhëtimesh ishte funksionale, por tani pronari i dyqanit kërkon qiraxhi të ri pasi biznesi i ngritur nga Marina Maze (Tasho) u mbyll nga policia pas shumë denoncimesh për mashtrim të klientëve.

Pasi rezervonin biletat që porosisnin qytetarët, agjencitë “fantazmë” i anulonin ato ose shpallnin falimentin, duke përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, siç është edhe rastin konkret i agjencisë “Tasho”. Pas kallëzimeve të qytetarëve dhe hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, ka rezultuar se kjo agjenci udhëtimesh ka abuzuar me klientët, të cilët, të joshur nga ofertat sezonale, prenotonin udhëtime duke paguar edhe paratë, por më pas, kur janë paraqitur në zyrën e agjencisë, e kanë gjetur të mbyllur dhe askush nuk u përgjigjej as në telefon.

Grupe të organizuara turistësh që do udhëtonin në Amsterdam paguan 2800 euro, por kur u afrua data, agjencia ishte zhdukur. Qytetarë të tjerë kanë depozituar kallëzim se janë demtuar në vlerën 1600 euro për 4 bileta në Dubai dhe për 2 bileta për në Berlin. Sipas policisë së Tiranës pre e mashtrimit ka rënë edhe një shtetase e cila kishte prenotuar 17 bileta udhëtimi në Amerikë.

Skema të tilla mashtrimi janë konstatuar edhe vitet e kaluara, madje, sipas analizës së policisë, këto agjenci hapen për një periudhë të shkurtër kohore, enkas për këtë qëllim. Për këtë arsye, ekspertët sugjerojnë që qytetarët t’u drejtohen vetëm agjencive serioze dhe që kanë vite që operojnë në treg./abcnews.al