“Masat përjashtimore, në përputhje me rregulloren”, Bushka: “McGonigal”, pretekst i opozitës për kaos

schedule20:05 - 23 Shkurt, 2023

schedule 20:05 - 23 Shkurt, 2023

Deputetja e PS, Klotilda Bushka, njëherësh Kryetare e Komisionit të Ligjeve komentoi edhe përjashtimet e ditëve të fundit nga Kuvendi të disa deputetëve opozitarë për zhurmën dhe kaosin e shkaktuar gjatë seancave plenare. Bushka theksoi se masat e ndërmarra janë ndërmarrë në përputhje me rregulloren.

“Të bllokosh foltoren, të krijosh kaos, të mos lejosh kolegët të flasin, është një shkelje e rëndë. Të mos kesh kaq respekt për kolegun sa të arrish deri në këtë pikë për një justifikim të paqenë se po shkelen disa të drejta, kjo nuk është një situatë normale. Masat kanë qenë në përputhje me rregulloren, proporcionale.

Jo të gjithë deputetët kanë marrë përjashtimin maksimal.”, tha ajo ndërsa shtoi se kjo lëvizje e opozitës për të bllokuar punimet e Kuvendit, nuk erdhën për shkak të çështjes së McGonigal por kanë të bëjnë me kallëzimet dhe hetimet që po bëhen për Gërdecin dhe për 21 Janarin nga SPAK.

“Ky justifikimi i zhurmës dhe kaosit, me pretendimin se po i cenohet një e drejtë disa deputetëve të opozitës nuk qëndron. Në këtë legjislaturë, nga janari e deri më sot ka qenë kjo situatë, është normale që opozita të ketë strategjinë e vet për të kërkuar të drejtat por edhe të ngrejë zërin dhe debate.

Por kjo situatë është e pajustifikuar për gjykimin tim, nisi që në 16 janar kur po fillonin fakte të reja të 21 janarit, ku po hetohej për Gërdecin. Ishin ngjarje që në gjykimin tim krijuan në kampin opozitar këtë skenar për të bllokuar punimet e kuvendit. Çështja McGonigal u kap rrugës. Ishte një pretekst.”, tha ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!