Lidhur me masat e marra nga qeveria për parandalimin e koronavirusit, Akademik Artan Fuga refuzoi të fliste nëse këto janë apo jo efikase duke theksuar se kjo nuk i përket fushës së tij. Por deklaroi se ato mund të shpreheshin më mirë. Në bisedë me gazetarin Endri Xhafo në ABC, Fuga u shpreh se ndalur te grumbullimi më shumë se 10 veta, nuk përcaktohet se çfarë ndodh kur ato bëhen në familje.
“Unë nuk jam në gjendje të them nëse këto masa ishin të domosdoshme apo jo. Por kam tendencë t’i besoj më shumë Komitetit të Ekspertëve. A mund të shpreheshim më mirë. Unë mendoj se mund të shpreheshin. Unë marr seriozisht ruajtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë në kushte pandemie. Thuhet, ndalohen grumbullimet më shumë se 10 veta. Nëse këto grumbullime janë në familje, a do të thotë se jam i ndaluar ta bëj?! Këtu kërkohet ndarje mes hapësirës private dhe asaj publike”, u shpreh ai.
Fuga deklaroi se në rastin e aktiviteteve partiake, duhej një formulim më i përgjithshëm pasi në këtë rast funksionarët publikë mund ta quajnë grumbullimin për qëllime sociale. Ai theksoi se koha e gjatë e nisjes së fushatës si dhe hapat për formimin e qeverisë i marrin qytetarëve shqiptarë 12 muaj në çdo vit zgjedhor.
“E dyta, atje thuhet aktivitete partiake. Ky togëfjalësh lë shumë për të dëshiruar. Një parti apo një ministër mund të bëjë një mitting, por thotë se është aktivitet social. Nuk formulohen kështu këto. Më duket se është shpejt akoma për të diskutuar se çfarë do të ndodhë. Ne jemi akoma 4-5 muaj larg zgjedhjeve dhe ka filluar që përpara. Shtoi dhe nja tre muaj pas zgjedhjeve për formimin e qeverisë. Ne na ikin nja 12 muaj për qeverinë e re. Është ende shumë herët dhe kjo do të duket në muajin shkurt”, deklaroi Fuga./mv.abcnews.al