Genti Mullai specialist komunikimi në Policinë e Shtetit në një intervistë në “News Line” në ABC News, foli për masat e Policisë së Shtetit të ndërmarra për festat e fundvitit.
Gjatë intervistës, Mullai sqaroi se ka pasur një bashkëpunim të lartë me policinë bashkiake. Gjithashtu nënvizoi se agjentët kriminale gjithashtu do të jenë në terren.
“Janë marrë masa edhe për shtim të monitorimit të kufirit detar. Policia është e angazhuar në sheshe për të marra masa gjatë festimeve. Në planin e masave janë përfshirë të gjitha strukturat pa asnjë përjashtim. E gjitha kjo është bërë për të shmangur çdo incident të mundshëm. Është studiuar e gjithë dinamike e situatës kriminale përgjatë vitit dhe është punuar për hartimin e planit të masave. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe objekteve të rëndësisë së veçantë. Gjatë gjithë këtyre ditëve e gjithë policia kriminale deri në 3 janar janë në terren dhe sidomos gjatë natës, për të siguruar që të parandalojnë vjedhjet”, u shpreh Genti Mullai.
Sa i përket fishekzjarrëve, tha se janë informuar administratorët dhe dyqanet e marketeve për masat e marra për shmangur ndonjë incident, duke shtuar se nuk lejohet që të përdoren nga minorenë.
“Administratorët dhe dyqanet e marketeve janë të informuar që nuk lejohet shitja. Qytetarët nuk mund të hedhin fishekzjarrë në mënyrë të pakontrolluara. Le t’ja lënë institucioneve përkatëse këtë pjesë dhe qytetarët të festojnë me familje”, shtoi më tej ai.
/abcnews.al/