Masat anti-Covid penalizojnë ardhjen e turistëve të huaj

schedule19:04 - 21 Qershor, 2021

schedule 19:04 - 21 Qershor, 2021

Nga Ajgena Korbi

Ora policore, kufizimi i muzikës deri në 22:00 të mbrëmjes dhe organizmi i aktiviteteve me jo më shumë se 50 persona, bizneseve që operojnë në fushën e turizmit po u rrezikon marrëveshjet me homologët ndërkombëtar.

Në emër të tyre, Unioni Turistik Shqiptar i kërkoi ministrisë së Shëndetësisë heqjen e masave anti-Covid.

“Në fakt ende nuk kemi marrë përgjigje”, është shprehur kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa.

Por, përveç problemeve të shkaktuara nga pandemia bizneset e turizmit po përballen dhe me mungesën e punonjësve të kualifikuar.

“Mungesa ka për kamarierë apo recepsionistë që merren nga Tirana, por ka vështirësi në akomodimin e tyre. Durrësi është më komod në këtë pjesë”, thotë ai.

Turizmi këtë sezon sytë i ka nga bregdeti pasi interesi për turizmin kulturor sipas kryetarit të Unionit Turistik Shqiptar është thuajse zero.

Ndërsa të huajt që kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë deri tani kanë qenë kryesisht  nga Europa Qendrore e Lindore dhe më pak nga vende të Bashkimit Europian.

“Turizmi bregdetar mund të them që është në pritshmëri të mirë, ndërsa tek  kategoritë e tjera turizmi është thuajse zero, deri tani nuk ka asnjë grup kulturor”, shprehet ai.

Unioni Turistik Shqiptar, njëkohësisht i kërkon qeverisë të rrisë lobimin përballë shteteve skeptike të cilat pavarësisht situatës pozitive të koronavirusit në Shqipëri vijojnë të mbajnë në fuqi  masat shtrënguese./abcnews.al/