Masakra në Teksas, 26 viktima e 24 të plagosur,autori është vrarë

schedule09:03 - 6 Nëntor, 2017

schedule 09:03 - 6 Nëntor, 2017

Sulmi me armë i të dielës në një kishë baptiste në Teksas ka një bilanc të rëndë, 26 viktima e 24 të plagosur. Ngjarja ndodhi në kishën e Sutherland Springsit, një konte në lindje të San Antonios.

Mes të vrarëve edhe disa fëmijë, më i vogli 5 vjeç, po ashtu edhe vajza 14 vjeçare e pastorit të kishës Frank Pomeroi. Plumbat i morën jetën edhe atij e bashkëshortes Sherri.

Autori është Devin Kelli, 26-vjeç një ish-pjesëtar i forcave ushtarake ajrore. U gjet i vrarë pasi u largua nga vendgjarja, jo shumë larg kishës. Me shumë gjasa ka humbur jetë nga plumbat e policisë, gjatë ndjekjes.

Dëshmitarët thonë se ai nisi të qëllonte që kur ishte jashtë kishës. Ata numëruan të paktën 20 të shtëna nga arma e tij gjysmëautomatike e modelit AR-15, e përdorur shpesh në masakrat me armë në Shtetet e Bashkuara gjatë viteve të fundit. Foton e armës së tij e kishte postuar më 29 tetor në profilin e tij Facebook, shoqëruar me komentin, “Kjo është e poshtër”.

Arsyet që e shtynë atë të vriste gjysmën e të pranishmëve në meshën e të dielës në kishë janë të paqarta. Por dyshohet se Kelli vuante nga çrregullime mendore. Mediat amerikane bëjnë të ditur se këtë verë, ai u jepte mësim Biblën fëmijëve që frekuentonin kishën. Në 2010-ën, ka shërbyer si ushtar pranë forcave ajrore amerikane. Një zëdhënëse e ushtrisë tha se në 2012-ën, ai kishte marrë dënim nga një gjykatë ushtarake i shpallur fajtor për dhunë në familje. Kishte dhunuar bashkëshorten dhe fëmijën e tyre. dy vite më vonë ishte liruar nga ushtria.

Ai jetonte në kontenë Komal, fqinje me zonën ku ndodhi masakra. Për ngjarjen reagoi edhe presidenti amerikan Donald Tramp. Nga Japonia ku ndodhet për një vizitë zyrtare Tramp tha se bëhej fjalë për një person të çekuilibruar, me probleme të jashtëzakonshme mendore. Kemi problematika të theksuara të shëndetit mendor në SHBA – tha Tramp – për të cilin kjo nuk është një çështje që lidhet me armët. Me ngjarjen – tha ai – do të merret FBI-ja. E në këtë mënyrë e kaloi thjeshtë këtë masakër, që po të ishte kryer nga të huajt, kryesisht nga persona të besimit islam, natyrisht do t’ja vinte fajin Green Card-it.