Masakra në Mat, autori: Më qëlluan me shuplakë

schedule14:16 - 12 Tetor, 2018

schedule 14:16 - 12 Tetor, 2018

Tre viktimave nga masakra e djeshme në Shëlli të Matit u është dhënë lamtumira e fundit dhe bashkia ka marrë përsipër shpenzimet. Ndërkohë autori i masakrës, Kujtim Koxha, ka rrëfyer versionin e tij të ngjarjes. Ai ka pranuar krimin dhe u tha hetuesve se e qëlluan me shuplakë dhe i thane pijanec.

“Njëri nga viktimat më qëlloi me shuplakë dhe më tha je i pirë”.

Kjo ka qenë dëshmia e autorit të masakrës me tre të vrarë dhe një të plagosur në Shëlli të Matit. Autori i krimit të trefishtë, Kujtim Koxha, u tha hetuesve që nuk mbante mend më se çfarë ka ndodhur.

Kujtonte vetëm faktin që e fyen dhe e goditën me shuplakë. Ky ka qenë momenti kur pas debatit për rrugën me punonjësit e bashkisë ai ka vrapuar në shtëpi 500 metra larg lokalit ku po drekonin dhe mori automatikun. Më pas e gjitha u kthye në masakër. Vëllai i pronarit të lokalit tentoi t’ia hiqte armën nga dora, pasi Koxha qëllonte për t’i vrarë të gjithë të pranishmit.

Ndërkohë tre të vrarëve u është dhënë lamtumira. Në ceremoninë e varrimit ishin të pranishëm edhe stafi i bashkisë së bashku me këshillin bashkiak, si dhe deputeti Përparim Spahiu. Bashkia Mat vendosi një fond prej 1 milionë lekë për shpenzimet e varrimeve për tre viktimat që dje u shpallën “Qytetarë Nderi”.

Krimi ndodhi mesditën e të enjtes. Koxha u ka kërkuar punonjësve të bashkisë që të shtrojnë rrugën deri afër shtëpisë së tij. Kjo ka sjellë debat mes tij dhe punonjësve të bashkisë dhe në një moment shoferi i kamionçinës, Erzen Aliaj ka debatuar jashtë lokalit me Kujtim Koxhën dhe e ka qëlluar me shuplakë.

Nga ngjarja gjeti vdekjen në vend Mentor Hoxha, ndërsa Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi humbën jetën pak orë pas ngjarjes. I plagosur mbeti dhe Astrit Hani, i cili po merr mjekim në spitalin e Burrelit dhe ndodhet  jashtë rrezikut për jetën. Policia arrestoi 51-vjeçarin Koxha rreth një orë larg vendngjarjes, në një urë në Burgajet. Për kapjen e tij u vunë në ndjekje 40 forca policie./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!