Masakra në Kavajë, gjykata lë në burg pesë të arrestuarit

schedule13:20 - 8 Korrik, 2019

schedule 13:20 - 8 Korrik, 2019

Gjykata e Kavajës ka lënë në burg pesë të arrestuarit për masakrën me një të vrarë dhe pesë të plagosur në 4 Korrik, ngjarje e cila ndodhi pranë Teqesë së Kavajës. Në masën e sigurisë arrest me burg u vendos, Marjus Aliu, 31 vjeç ,Ardian Dedej, 43 vjeç, Eraldo Hyka, 22 vjeç, Qazim Merkja, 25 vjeç, të akuzuar për vrasje. Në burg u la dhe Agron Kollçaku, 39 vjeç i cili nuk kallëzoi për krimin. Ndërkohë në kërkim është Denis Aliu, 33 vjeç.

Nga hetimet ka dalë që Eraldo Hyka, Ardian Dedej dhe Qazim Merkja janë konfliktuar me vëllezërit Marjus Aliu dhe Denis Aliu, konflikt, i cili është përshkallëzuar deri në përdorim të armëve dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme një kalimtar i rastit Ramazan Hasalliu, 52 vjeç si dhe u plagosen Ardian Dedej, Eraldo Hyka, A.A., S. M. dhe Marjus Aliu, të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore në Spitalin e Durrësit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Një ditë para ngjarjes këta persona ishin zënë me njëri tjetrin për çështje banale dhe ditën tjetër ishin takuar për të vendosur paqe. Takimi nuk funksionoi dhe palët përdorën armët. Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale tre automjete, te cilat janë përdorur nga autorët e dyshuar, aparate celularë, fishekë luftarakë si dhe një sërë provash të tjera, të cilat janë dërguar për ekzaminim të mëtejshëm laboratorik. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!