Masakra në Florida, FBI e dinte për prirjet kriminale të adoleshentit

schedule20:11 - 15 Shkurt, 2018

schedule 20:11 - 15 Shkurt, 2018

FBI ka qenë në dijeni të sjelljeve të rrezikshme të adoleshentit Nikolas Cruz, që një ditë më parë vrau 17 bashkëmoshatarë në një shkollë amerikane. Ndërkohë, presidenti Donald Trump e ka vënë theksin tek problemet mendore të të riut, duke shmangur rihapjen e debatit mbi lirinë e armëve.

Byroja Federale e Hetimeve ka konfirmuar se kishte qenë e njoftuar për prirjet e adoleshentit, që një ditë më parë vrau 17 persona në një shkollë në Florida të Shteteve të Bashkuara. Sipas mediave amerikane, Nikolas Cruz, që tashmë përballet me 17 akuza për vrasje me paramendim, pak muaj më parë kishte postuar një koment për një video në YouTube, ku thoshte se do të bëhej qitësi profesionist i shkollës.

Një përdorues kishte lajmëruar asokohe autoritetet, por mesa duket ato nuk kanë qenë në gjendje ta parandalonin tragjedinë. FBI ka deklaruar se kishte hetuar komentin e lënë në Youtube, por nuk kishte arritur ta identifikonte plotësisht autorin. Gjithashtu, edhe mësuesit e shkollës në lokalitetin Parklend ishin paralajmëruar për Cruz, i cili nuk lejohej të hynte me çantë shpine në kampusin e shkollës.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe presidenti Donald Trump. Me një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, ai i është drejtuar çdo prindi, mësuesi dhe nxënësi të prekur nga kjo tragjedi.
“Do të bëjmë gjithçka për të lehtësuar dhimbjen tuaj. Dëshiroj që ju ta dini se nuk do të jeni kurrë vetëm. Në shkollat amerikane asnjë fëmijë nuk duhet të jetë në rrezik”, ka thënë Trump.

Trump i ka orientuar motivet e ngjarjes tek shëndeti mendor i adoleshentit, duke refuzuar të hapë sërish debatin për lirinë e armëmbajtjes në Shtetet e Bashkuara. Edhe senatorë të tjerë kanë shmangur këtë temë, ndërkohë që prindër të shumtë, përmes rrjeteve sociale kanë bërë thirrje që të kalohet nga fjalët në masa konkrete./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!