Të paktën katër persona kanë mbetur të vrarë dhe gjashtë të tjerë u plagosën, në Fresno të Kalifornisë, ku disa persona të armatosur qëlluan me armë zjarri ndaj disa personave që po shihnin një ndeshje futbolli në oborrin e shtëpisë.
Mediat amerikane konfirmuan lajmin pa saktësuar se sa persona kanë qëlluar, identitetin e tyre apo arsyen e të shtënave. Disa nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike për jetën.
Policia shpjegoi se në oborrin e shtëpisë ndodheshin 35 persona në momentin e ngjarjes. Katër viktimat janë meshkuj të moshës 25 deri në 30 vjeç, dhe nuk dihet nëse viktimat njiheshin me vrasësit.
Askush nuk i ka parë personat që qëlluan dhe nuk është sinjalizuar asnjë automjet i dyshimtë pranë vendngjarjes. Policia po analizon pamjet e kamerave të sigurisë./abcnews.al