E gjithë forca policore në një qytet në perëndim të Meksikës është arrestuar për vrasjen e një kandidati për kryetar bashkie. Në prag të zgjedhjeve të 1 korrikut, në vendin latin janë ekzekutuar të paktën 100 politikanë.
Një forcë e tërë policore, e përbërë nga 28 efektivë, është arrestuar në Meksikë për vrasjen e një politikani në një qytet në perëndim të vendit latin. Të gjithë efektivët e qytetit Okampo janë prangosur, çarmatosur dhe marrë në pyetje nga oficerët e punëve të brendshme. Ata po hetohen për përfshirje të mundshme në vrasjen e kandidatit për kryetar bashkie Fernando Angeles Huarez, të enjten e kaluar. 64-vjeçari, i njohur edhe si aktivist kundër korrupsionit, u qëllua për vdekje jashtë shtëpisë së tij në Okampo nga persona ende të paidentifikuar. Fotot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë agjentët e policisë të rreshtuar dhe të shtrirë përdhe, me duart e prangosura pas shpine. Paraprakisht ata akuzohen se kanë shkelur kodin policor të sjelljes, me autoritetet nuk japin më shumë detaje. Huarez është politikani i tretë që vritet në shtetin e Mikoaçanit brenda 10 ditëve, ndërsa në nivel kombëtar mbi 100 politikanë janë ekzekutuar në prag të zgjedhjeve të përgjithshme që mbahen më 1 korrik. 28 efektivët dhe një zyrtar civil u arrestuan nga policia federale mëngjesin e së hënës. Pas vrasjes së Huarez, autoritetet lokale akuzuan sekretarin për sigurinë publike, Oskar Gonzales Garsia për përfshirje në ekzekutim. Policia lokale pengoi agjentët federalë që ta arrestonin atë ditën e shtunë, duke i detyruar ata të bënin një tërheqje të përkohshme. /abcnews.al