Edi Martini shpresonte që Granada të mos ishte në formë, por ekipi spanjoll shënoi 4 gola në “Niko Dovana” dhe siguroi kualifikimin në raundin e tretë të Europa League. Trajneri i Teutës ka folur shkurt për mediat pas humbjes me “poker”, duke pranuar lojën jo të mirë të djemve të tij, pavarësisht forcës së skuadrës spanjolle.
HUMBJA – “Pretendoja dhe shpresoja shumë që të ishte një ditë jo për ekipin e Granadës, por ishte një ditë jo për ne. U ndëshkuam shumë shpejt, pastaj nuk kishim forcë të reagonim. Ata e treguan se janë një ekip i madh. Mjaftuan gjysmë gabimet tona, na ndëshkuan shumë shpejt dhe nuk kishim më forcë reagimi”.
SKUADRA – “Nuk ishte një ndeshje e mirë e jona, ishte një ndeshje e keqe. Kjo edhe për meritë të kundërshtarit, por edhe një dite të keqe tonën”.
MERKATO – “Ne kemi në plan edhe një blerje tjetër. Shpresojmë ta bëjmë, duhet ta mbyllim shumë shpejt që lojtarët të na bashkohen sa më shpejt. Shpresojmë të marrim ata lojtarë që na nevojiten”. /abcnews.al