Teuta ia doli të eliminonte Beitar Jerusalem në raundin e parë të Europa League. 2-0 fitoi ekipi durrsak, teksa nuk kishin fat në shortin për turin pasardhës. Goglat i vunë përballë Granadan, ekipi e La Liga, që luan për herë të parë në histori në kompeticionin evropian.
Trajneri i Teutës, Edi Martini flet në konferencën për shtypin përpara duelit të ditës së nesërme në stadiumin “Niko Dovana”, takim që nis në orën 16:00. Shkodrani ndalet të sfida, kundërshtari dhe ajo që pret nga djemtë e tij.
“Është një sfidë historike, është një ndeshje që mezi e presim. E dimë forcën e tyre, e dimë se çfarë ekipi janë, i kemi vëzhguar me kujdes. Janë një ekip i fortë, por të presim dhe të shohim ditën e nesërme.
Teuta? Aspekti psikologjik është shumë i rëndësishëm, i kam kërkuar djemve vetëm të kenë besimin te vetja. Karakterin dhe besimin e kanë treguar në ndeshje lojtarët, duke filluar nga 1/2 finalja e Kupës (eliminuam Kukësin), finalja që morëm ndaj Tiranës, fitimi i Superkupës apo që kemi kaluar Beitarin.
Këto janë shenja që ekipi është i përgatitur nga ana fizike, tekniko-taktike dhe ajo psikologjike, që është më e rëndësishmja. Nuk kam frikë në këtë aspekt. Nesër do të bëjmë çmosin tonë, 100%-ishin tonë. E dimë forcën e tyre, por do të bëjmë lojën tonë dhe do mundohemi të marrim maksimumin e mundshëm.
Granada ekip kundërsulmi? I kemi studiuar mjaft mirë. Janë një ekip shumë solid, luajnë si një trup i vetëm. Kanë disa lojtarë cilësorë aty ku e bazojnë lojën. Por, edhe ata kanë pikat e tyre të dobëta, që do mundohemi t’i shfrytëzojmë.
Presioni është mbi ta, e kërkojnë me ngulm kualifikimin. Do japim maksimumin, por na shqetëson Teodorovsi, pasi nuk do të jetë pjesë e ekipit prej dëmtimit në Superkupë. Pjesa tjetër e ekipit është mirë dhe shpresoj të kemi fatin me vete.
Duhet të jemi të kujdesshëm, gabimet janë determinante në ndeshje me një takim. Ne do përpiqemi të bëjmë lojën tonë. Për të thënë sot atë që do bëjmë nesër, është pyetje pak e avancuar, por do tentojmë të bëjmë lojën tonë.
Më vjen mirë që djemtë kanë arritur në këtë pikë, historinë e kanë bërë, e kanë bërë më së miri. Granada na vë para një përgjegjësie shumë të madhe, por këto djem e kanë shkruar historinë e vet te Teuta, sidoqë të ndahet ndeshja. Jam i gëzuar për djemtë“, përfundon Martini. /abcnews.al