Teuta do të luajë kundër Tiranës në “Air Albania”, në orën 19:45 ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të të kategorisë superiore.
Në krye te Teuta u rikthye Edi Martini i cili vetëm dy javë pas largimit të tij, bëri veprim prapaktheu duke marrë sërish në dorë timonin e djemve të detit.
Në konferencën për shtyp, Edi Martini foli për sfidën me Tiranën, teksa nuk e shikon si problem mungesën e tij në këto dy javë.
“Nuk është kohë e gjatë nga largimi. Këto tri seanca i shikoj si vazhdim i asaj pune që kemi bërë. Nuk e shikoj si një problem të madh. Megjithatë skuadrën në përgjithësi e shoh shumë mirë”, tha fillimisht Martini.
Ai më tej theksoi se nuk do të bëjë ndonjë revolucion në skuadër: “Nuk është se do ndryshoj ndonjë gjë, thjesht do mundohem të shkojmë aty ku kemi qenë më përpara me lojë”.
Në lidhje me duelin kundër Tiranës, Martini shtoi: “Është një ndeshje e fortë, po luajmë ne që jemi kampionë me ata që duan të dalin kampion. Por duam të shpallemi edhe ne kampionë. Kështu që do jetë një ndeshje e fortë, që i ka të tria rezultatet brenda.
Tirana ka një ekip të mirë, me lojtarë me eksperiencë. Luajnë mirë mbrapa, me 5 mbrojtës, kanë dy sulmues të mirë përpara. Mundohen me topa të gjatë të furnizojnë sulmuesit e tyre. Ne do mundohemi t’u bllokojmë pikat e tyre të forta”.
“Ne kemi bërë kthesën gjithmonë me Tiranën. Atëherë kur Tirana kishte 18 ndeshje pa u mposhtur, ne ia kemi dalë. Kur ishte shumë e fuqishme. 90 për qind e lojtarëve janë ende pjesë e ekipit. Kryesorja është shpirti dhe lufta jonë në fushën e lojës. Se çfarë bën Tirana më pas është hesap tjetër”.
“Them që jemi të qartë për formacionin. E thashë që është ndeshje e rëndësishme për ne, por edhe për Tiranën. Do futemi në fushë për fitore, por rezultatin ia lëmë lojës. Fusha e mirë? Shumicën e ndeshjeve i kemi luajtur në Elbasan, edhe aty është fushë e mirë, si në ‘Air Albania’. Jemi të fokusuar në maksimumin dhe në çdo lloj fushe të zhvillohej kjo ndeshje, ne do të ishim gati”, deklaroi Martini. /f.a/abcnews.al