Numërimi mbrapsht ka nisur, ndërsa muaji mars kthen në fushë të gjitha kombëtaret e Shqipërisë për herë të parë në vitin 2026. Një kalendar i ngjeshur për të gjitha skuadrat kuqezi, megjithëse takimi më i rëndësishëm është në program më 26 mars.
Përfaqësuesja e parë do të luajë për historinë në sfidën e play off të “Botërorit 2026” në Varshavë kundër Polonisë.
Skuadra e drejtuar nga Silvinjo ëndërron biletën për në finalet e Kupës së Botës, por më parë duhet të kalojë polakët dhe më pas finalen e play off kundër fituesit e të çiftit Ukrainë-Suedi, në program më 31 mars.
Pushimet e gjata përfundojnë edhe për kombëtaren U21. Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi kthehet në aksion me dy miqësore në fazën përgatitore që do të zhvillojë në Antalia të Turqisë.
Përfaqësuesja e 21-vjeçarëve do të luajë më 27 mars kundër Japonisë dhe tri ditë më pas kundër SHBA. Një program të ngjeshur kanë edhe kombëtaren e tjera kuqezi të moshave.
Skuadra U19 nis kualifikueset e “Euro 2027” në Grupin B4 me tre ndeshjet e para, të gjitha në shtëpi. Përfaqësuesja e drejtuar nga Fatjon Tafaj do të luajë kundër Luksemburgut më 25 mars, më pas më 28 dhe 31 mars kundër Maltës dhe Norvegjisë.
Ndërkohë, Kombëtarja U-17 do të luajë dy miqësore kundër Letonisë më 26 dhe 28 mars. Por marsi “kuqezi” çelet me përfaqësuesen e vajzave, që do të luajë dy ndeshje në kualifikueset e “Botërorit 2027”.
Skuadra e drejtuar nga Armir Grima e ka përballjen e parë më 3 mars në transfertë ndaj Malit të Zi, ndërsa katër ditë më pas do të presë në “Loro Boriçi” Çekinë.


