Marrëveshjet Shqipëri-Mali i Zi, Nazarko: Lëvizje me efekt forcimin e ndjenjës kombëtare

schedule17:33 - 27 Shkurt, 2023

schedule 17:33 - 27 Shkurt, 2023

Shqipëria dhe Mali i Zi firmosën ditën e sotme në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive disa marrëveshje, të cilat do shtrihen në disa sektorë. Ajo që u vu re dhe që u cilësua pozitive ishte dakordimi për ndërtimin e Urës së Bunës, projekt ky, i cili do të shkurtojë largësitë mes dy vendeve.

Analisti Mentor Nazarko, në “News Line” në ABC News, me gazetaren Viol Xhafaj, tha se ndërtimi i kësaj ure do ketë ndikim të jashtëzakonshëm në sektorin e turizmit, por dhe në forcimin e faktorit shqiptar në rajon.

“Ky është takimi i dytë, dhe nuk ka vijë lidhëse me të parin që u mbajt në Shkodër. Ky është duke ndodhur teksa në krye të Malit të Zi është një kryeministër shqiptar dhe kjo është ngjarje e rrallë historike. Dritan Abazoviç është model i udhëheqësit shqiptar atipik. Është jashtë modelit klasik të udhëheqësit shqiptar. Ka një bilanc të jashtëzakonshëm dhe të suksesshëm në Mal të Zi, por ai nuk ka ditur ta shesë siç duhet, sepse nuk ka media në dispozicion ta mbështesin. Ka rezultate konkrete, u firmosen 12 marrëveshje, 3 prej të cilave kanë vlerë konkrete, imediate. Ndërtimi i urës së Bunës do ketë ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e këtij pellgu. Kjo është një urë, e cila lehtëson komunikimin midis Tiranës e Podgoricës, por dhe Sarajevës. Kjo ka ndikim të jashtëzakonshëm shqiptarizues. Shqiptarët me njëri tjetrin do të komunikojnë intensivisht, do prodhojnë biznese të përbashkëta. Këto zona janë të bekuara, sepse i kanë të gjitha, kanë dhe pasuri minerare”, tha ai.

Ai theksoi se një tjetër marrëveshje, e cila ka impakt të madh për shqiptarët, është ajo e njohjes së kontributeve. Sipas tij, krahas zhvillimeve në turizëm, marrëveshje të tilla do ndikojnë në fuqizimin e faktorit të paqes.

“Projekti tjetër, që është ide e Abazoviç, është për Podgoricën si qytet bregdetar. E treta është njohja e kontributeve e shqiptarëve në Mal të Zi dhe anasjelltas. Ka shumë shqiptarë që punojnë në Mal të Zi në sektorin e ndërtimit. Kanë një impakt të jashtëzakonshëm, në favor të paqes dhe me vlerë shqiptarizues”, tha ai/n.m.abcnews.al