Për Ukrainën është e rëndësishme të zvogëlojë varësinë nga SHBA-ja, mendon ekspertja ushtarake Marina Miron. Me këto marrëveshje Kievi mund të ulë ndikimin amerikan, nga partneriteti përfiton edhe ekonomia ukrainase.
Përvoja e Ukrainës me përdorimin e dronëve është sot shumë e kërkuar sidomos në kontekstin e luftës me Iranin. Prandaj presidenti Volodymyr Zelenski ka dërguar ekspertë të mbrojtjes ajrore në Lindjen e Mesme dhe ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe me Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ukraina po mbështet si SHBA-në dhe vendet e Gjirit Persik për mbrojtjen kundër dronëve iranianë.
Këto partneritete të reja ndikojnë jo vetëm në luftën me Iranin, por edhe zhvillimet në Ukrainë, tha në një intervistë për ZDF ekspertja ushtarake Marina Miron nga King’s College London. Si për vendet e Gjirit Persik, ashtu edhe për Ukrainën, bëhet fjalë për reduktimin e varësive.
Sipas vlerësimit të Mironit, marrëveshjet mes vendeve të Gjirit dhe Kievit kanë edhe një qëllim politik. “Për Ukrainën është e rëndësishme të zvogëlojë varësinë nga SHBA-ja.” Duke nënshkruar këto marrëveshje, Kievi mund të zvogëlojë ndikimin amerikan.
Në luftën kundër Rusisë Ukraina ka zhvilluar dronë të lirë për eliminimin e predhave të sulmeve ruse. Tani ekonomia ukrainase mund të përfitojë nga partneritete të reja dhe prodhuesit shohin mundësi biznesi në vendet e Gjirit Persik që mund të përfitojnë në të ardhmen nga kjo teknologji.
Ukraina ka transformuar ekonominë e saj. Sipas ekspertes shumë kompani janë përqendruar tashmë në prodhimin e pajisjeve ushtarake dhe sidomos të dronëve. “Sigurisht që Ukraina ka nevojë për gjithçka që prodhon për momentin”, tha ajo. Por çfarë do të ndodhë me gjithë këta prodhues kur lufta të përfundojë?
Sipas ekspertes Marina Miron marrëveshjet me vendet e Gjirit sigurojnë treg për dronët ukrainas edhe pas përfundimit të luftës agresore ruse. Prandaj është e rëndësishme që Ukraina të vazhdojë të investojë në kërkimin ushtarak dhe njëkohësisht të gjenerojë të ardhura.
Aktualisht Ukraina ka borxhe të larta dhe varet nga ndihmat ndërkombëtare. Kievi duhet të përcaktojë se kush do të investojë në ekonominë e vendit. Vendet e Gjirit Persik kanë burime financiare dhe mund të përballojnë investime më të mëdha sesa shtetet evropiane.
Marrëveshjet janë “natyrisht edhe në interes të vendeve të Gjirit Persik”, të cilat në fushën e mbrojtjes ajrore varen nga SHBA-ja dhe nuk kanë interes për një përshkallëzim të situatës në rajon.
Por sipas ekspertes Marina Miron, SHBA nuk është e kënaqur me këtë bashkëpunim. Jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe politike, pasi në këtë mënyrë zvogëlohet presioni që mund të ushtrojë ndaj Ukrainës.
Ky bashkëpunim dëmton gjithashtu dhe industrinë amerikane të armatimeve, pasi ajo përballet me konkurrencën nga Ukraina. Por zhvillimi i mëtejshëm i këtyre partneriteteve të reja është sipas Miron i vështirë për t’u parashikuar.
Rusia është e lidhur ngushtë me rajonin e Gjirit Persik përmes çështjeve globale të energjisë dhe aleancës së naftës OPEC+. Për këtë arsye është e pamundur që Ukraina të arrijë të zvogëlojë ndjeshëm ndikimin rus në këtë rajon. “Sa i përket këtij aspekti, Ukraina ka pak ndikim. Prandaj mendoj se vendet e Gjirit Persik do të përpiqen të mbajnë një qëndrim neutral”, thotë ekspertja ushtarake Marina Miron.
Edhe para luftës vendet e Gjirit Persik nuk mbajtën një pozicion të qartë, duke ruajtur njëkohësisht marrëdhëniet si me Rusinë ashtu edhe me Perëndimin. Megjithatë përmes bashkëpunimit e vendet e Gjirit Persik, Ukraina mund të “përhapë narrativën e saj në hapësirën informative”, gjë që mund të jetë një avantazh për të, mendon ekspertja e cila shton, se “megjithatë, nuk mendoj se këto vende do të largohen menjëherë nga Rusia.”/DW/


