Shqipëria dhe Izraeli synojnë të thellojnë më tej marrëdhëniet dypalëshe, me fokus te bashkëpunimi ekonomik, teknologjia dhe fusha të tjera me interes të përbashkët. Por ajo që mbizotëron është siguria.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes mes dy qeverive, ishte pikërisht siguria, që u theksua si një nga shtyllat kryesore të partneritetit.
“Shqipëria dhe Izraeli i kushtojnë rëndësi të veçantë luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, luftës kundër antisemitizmit, përballimit të kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të reja ndaj sigurisë kombëtare”, nënvizoi Hoxha.
Disa javë më parë ishte kryeministri që falënderoi Izraelin për ndihmën në përballjen e valës goditëse online që shoqëroi flamingot. Të hënën ishte radha e ministrit të Jashtëm.
“I jemi thellësisht mirënjohës Izraelit për mbështetjen e çmuar që i ka dhënë Shqipërisë në forcimin e kapaciteteve tona të mbrojtjes kibernetike, pas sulmeve brutale kibernetike të Iranit dhe grupeve të lidhura me të, në vitin 2022, kundër infrastrukturës sonë kryesore dixhitale”, theksoi ai.
Në planin ekonomik, ministri tha se po rritet interesi i investitorëve izraelitë për Shqipërinë.
“Partneriteti ynë po zgjerohet edhe në fushën ekonomike. Ne shohim potencial të konsiderueshëm për diversifikimin dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe na inkurajon interesi gjithnjë në rritje i bizneseve dhe investitorëve izraelitë për Shqipërinë, veçanërisht në infrastrukturë, agrobiznes, teknologji, inovacion dhe energji, por edhe në shëndetësi”, theksoi Hoxha.
Në fokus mbetet edhe trashëgimia historike. Hoxha thotë se po avancon puna për Muzeun e Besës në Tiranë dhe Muzeun Hebraik në Vlorë, të cilët synojnë të ruajnë kujtesën e shpëtimit të hebrenjve gjatë Holokaustit.
“Këto institucione do të shërbejnë si qendra edukimi dhe kulture, duke kremtuar lidhjet historike mes popujve tanë dhe duke vlerësuar praninë e vazhdueshme dhe kontributin e komunitetit hebre në shoqërinë shqiptare”, u shpreh ai.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, shprehu admirim për qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj sulmeve të 7 tetorit dhe vlerësoi lidershipin e kryeministrit Rama.
“Udhëheqja e tij, bindja dhe busulla e palëkundur morale kanë vlerë përtej Ballkanit, përfshirë edhe rajonin tonë. Faleminderit për punën e pareshtur për ta çuar marrëdhënien tonë përpara”, tha ai.
Synimi i përbashkët, sipas dy ministrave, është që miqësia historike mes dy vendeve të shndërrohet në projekte konkrete dhe përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.


