Shqipëria nënshkroi marrëveshjen tripalëshe me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për ndërtimin e një linje nënujore për shkëmbimin e energjisë përmes Adriatikut. Nga Abu Dhabi, kryeministri Edi Rama tha se linja do të shërbejë për të rritur kapacitetin e Shqipërisë si një lojtar kyç në rajon.
Ekspertja për ekonominë, Romina Radonshiqi deklaroi në “Money Report” se një investim i tillë do të ndikojë ndikojë pozitivisht në rritjen ekonomike. Sipas saj, kjo rrit mundësinë për të pasur bashkëpunime edhe në sektorë të tjerë që ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Janë të rëndësishme sepse krijimi i një infrastrukturës dhe përzgjedhja e Shqipërisë krijon element pozitivë për zhvillimin e kësaj lloji energjie. Do të ndikojë pozitivisht në sektorin privat, krijojë infrastrukturë. Ndoshta do të ndikojë edhe në investime dhe bashkëpunime rajonale apo vende të fuqishme si Emiratet e Bashkuara dhe Italia edhe në sektorë të tjerë që do të ndihmojnë shumë në zhvillimin ekonomik të vendit. Shqipëria po shihet si një vend ku mund të bësh biznes dhe bashkëpunim ekonomik, ku përfiton jo vetëm Shqipëria por edhe vendi tjetër. Jemi pranë BE dhe nëse do të kemi projekte të tilla të ngjashme, do të jemi një vend që nuk do të varemi nga energjia e importuar dhe do të kemi elemente konkurruese në treg dhe të pozicionohemi aty ku ne mund të jemi ndihmës në ekonomitë e vendeve fqinje dhe ndërkombëtare.“, u shpreh ekspertja.
Duke u ndalur te synimi i qeverisë për ta bërë vendin eksportuese neto të energjisë në 2029, ajo shtoi:
“Kemi kapacitete. Do të ndikojë pozitivisht edhe në bilancin tregtar. Nëse bëhemi eksportues neto për energjinë, impakti ekonomik në nivelin makro dhe mikro do të jetë efekt pozitiv dhe projekte të tilla duhen pritur jo vetëm nga aspekti makro por qytetarët duhet të kuptojnë se do të ndikojë në uljen e çmimit të energjisë elektrike. “, shtoi ajo./abcnews.al