Këshilltarja në Ministrinë e Jashtme kroate Ermira Perlaskaj komentoi marrëveshjen e fundit ushtarake mes tre vendeve të rajonit Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.
Sipas saj, Vuçiç po kërkon vetëm të tërheq vëmendjen nga situata aktuale në Serbi dhe se në Kroaci kjo marrëveshje është pritur shumë mirë.
“Kur flasim për këtë deklaratë mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë është mirëpritur në Kroaci. E dimë si anon Vuçiç dhe është i njohur si manipulues që nxit zjarre. Në mediat serbe Vuçiç ka bërë kërkesë drejtuar ministrisë kroate ku kërkon të argumentojnë si është nënshkruar kjo marrëveshje, një kërkesë e tillë nuk ka ardhur nga qeveria. Është një pjesë teatrale dhe Vuçiç po shfrytëzon rastin sepse ka protesta në shtetin e vet. Mesazhi i tij është të tërhiqet vëmendja.”
Më tej, Perlaskaj vijoi duke përmendur se është ftuar edhe Bullgaria të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje dhe se Vuçiç po bën një teatër në NATO dhe në media.
“Politika zyrtare e mbështet këtë marrëveshje dhe shumë qartë edhe ministri i mbrojtjes tha se ka kaluar koha që të pyetet Beogradi. Flasim për një fqinj i cili ka qenë në luftë me shtetin kroat. Ministri ka qenë pjesëmarrës i luftës në Kroaci dhe e di se kush qëndron pas kësaj. Unë si pjesë e qeverisë e mbështes dhe e përgëzoj një iniciativë të tillë se bëhet fjalë për një siguri më të madhe. Është ftuar dhe Bullgaria të jetë pjesë e kësaj marrëveshje. Po flasim për dy shtete që janë pjesë e NATOS, Vuçiç në NATO dhe në media po bën një teatër.”
/ abcnews.al