Marrëveshja për emrin/ Mogherini: Ditë e madhe, Hahn: Hap pozitiv drejt BE

schedule14:28 - 17 Qershor, 2018

schedule 14:28 - 17 Qershor, 2018

Përfaqësuesja e BE-së për politikë të jashtëme Federika Mogerini tha se nënshkrimi i marrëveshjes shënon një ditë të madhe për të gjithë. Ndërsa eurokomisioneri për zgjerim Johanes Han e konsideroi një hap shumë pozitiv drejt anëtarësimit të Shkupit për në BE.

“Dy palët i kanë bërë krenarë të gjithë në Evropë për marrëveshjen e arritur”. Kështu është shprehur përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtëme, Federica Mogherini. Ajo nënvizon se kjo është marrëveshje ku kanë fituar të gjithë palët. “Ky akord do të ndikojë për promovimin e paqes në gjithë rajonin dhe një shembull i mirë për të gjithë. BE do të jetë afër për të ndihmuar dhe për të kontrolluar çdo hap të implementimit të kësaj marrëveshje. Kjo është një ditë e madhe për të gjithë ne”, ka deklaruar Mogherini.

Lidhur me ngjarjen historike ka dhënë një prononcim edhe Eurokomisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn. “Duhej shumë kohë dhe shumë rrugë për të arritur këtu ku jemi”, u shpreh ai. “Kjo është një ditë historike dhe mundësi për qytetarët e Maqedonisë Veriore që të marrin përgjigje pozitive për integrimet euro-atlantike. Në fund të ditës, të gjithë do të shohin se marrëveshja është një kompromis i mirë në të cilin gjithkush merr diçka”, deklaroi Hahn.

Ndërkohë, marrëveshja është përshëndetur edhe nga kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov si dhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Kreu I qeverisë së Sofies thotë se ky është një hap i madh drejt integrimit të Shkupit në BE dhe NATO. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!