Marrëveshja Kurti-Vjosa, këto janë zotimet e të dyja palëve

schedule15:52 - 14 Janar, 2021

schedule 15:52 - 14 Janar, 2021

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista e Vjosa Osmanit kanë zyrtarizuar sot marrëveshjen me të cilën do të garojnë së bashku në zgjedhjet e 14 shkurtit. Zyrtarizmin e marrëveshjes e bënë lideri i LVV-së, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani në një konferencë për mediat.

Në marrëveshjen e përbashkët shkruhet:“të vendosur për luftimin e pa kompromis të korrupsionit dhe krimit të organizuar si parakusht thelbësor për konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në vend, të zotuar që Kosova të jetë vend kur të rinjtë e shohin të ardhmen e tyre dhe qytetarët të gëzojnë mirëqenie të mirëfilltë dhe jetë me dinjitet palët zotohen për këto pika.

Në pikën e parë VV dhe Lista e Vjosa Osmanit janë zotuar për prioritizim të rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë me Vettingun si pjesë integrale të këtij procesi, si dhe vendosmëri të plotë drejt luftimit të pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.

Më tej thuhet “Prioritizim të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë, duke i orientuar investimet dhe planifikimin buxhetor kah sektori i shëndetësisë, mbrojtja e mjedisit, digjitalizimi, investimi në kapital njerëzor, nxitja e prodhimit vendor, me qëllim të përqafimit të një koncepti zhvillimor ekonomik të qëndrueshëm e inovativ”.

Në pikët 4 të zotimeve të përbashkëta mes LVV-së dhe Listës së Vjosa Osmanit thuhet “rishikim dhe miratim të legjislacionit vendor si dhe zbatim me përgjegjësi të reformave të nevojshme në përputhje me standardet evropiane me qëllim të integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare.”

Po ashtu thuhet se palët janë zotuar edhe për angazhim për përfaqësim të unifikuar dhe gjithëpërfshirës në vendimmarrje në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Kurti e Osmani e quajtën këtë bashkëpunim për lirinë dhe barazinë e qytetarëve, për progresin dhe suksesin e shtetit, duke thënë se garojnë së bashku në zgjedhje për të ndryshuar mendësinë e gabuar, me të cilën është udhëhequr vendi. /abcnews.al/