Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi foli të enjten para deputetëve të Parlamentit Evropian për rezultatet e Samitit të Zagrebit, i cili u zhvillua të mërkurën përmes një video-konference. Ai iu përgjigj edhe pyetjeve lidhur me idetë për shkëmbim territoresh, dialogun midis Kosovës dhe Serbisë si liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Pozicioni ynë ka qenë i qartë nga fillimi. Kyçe është ajo për të cilën pajtohen dy vendet. Një marrëveshje rreth së cilës pajtohen dyja palët dhe që nuk paraqet rrezik për shtetet tjera të rajonit” tha ai.
Ai ka shtuar se pasi të arrihet te marrëveshja eventuale mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë mund të shikohet në elementet e ndryshme të saj.
“Nuk mendoj se shkëmbimi i territorit është një çështje, mendoj e ajo është një çështje dytësore” ka thënë ai.
Komisioneri i BE-së ka thënë se është me rëndësi që të dyja palët në tryezë të angazhohen në mënyrë domethënëse dhe të arrijnë te zgjidhja. Ai tha se pret që i dërguari i posaçëm për procesin e dialogut, Mirosllav Lajçak, të ketë një rol të madh në këtë proces. Lidhur me mungesën e liberalizimit të vizave për Kosovën, ai tha se nuk ka parë ndonjë lëvizje në Këshill rreth kësaj çështjeje.
“Ne në vazhdimësi lobojmë te shtetet anëtare. Kriza ka dëshmuar se sa e rëndësishme është që të ketë korridore të gjelbra për lëvizje ndërkufitare dhe këtë mund të shfrytëzojmë për t’iu sqaruar vendeve anëtare se pse duhet të fillojmë të konsiderojmë liberalizimin e vizave në një afat të shkurtër” është shprehur ai.
Shumica e diplomatëve në BE besojnë se dialogu do të mund të rifillonte pas zgjedhjeve në Serbi dhe pasi të sqarohet situata politike në Kosovë./abcnews.al