Është nënshkruar këtë javë në Kryeministri, Memorandumi për zhvillimin e hub-it energjetik të Vlorës dhe Marrëveshja kuadër për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror, si hapa të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si edhe ndërveprim konkret me Greqinë fqinje.
Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, tha për ‘Sheshi i Dollarit’ se Vlora po kthehet në një pikë të rëndësishme për energjinë dhe shpërndarjen e gazit të lëngshëm, çka mund të ulë kostot për bizneset nëse realizohet prodhimi për to.
Ajo theksoi se duke qenë një zonë turistike, çdo investim duhet të shmangë efektet negative dhe të mos sjellë interesa të kundërta. Nunaj paralajmëroi se mosrespektimi i kritereve mund të shkaktojë dëme në mjedis.
“ Është patjetër një marrëveshje me interes. Vlora kthehet në një pikë të rëndësishme të energjisë dhe shpërndarjes së gazit të lëngshëm për ngrohje dhe, nëse do të realizohet prodhimi i saj për bizneset, në këtë mënyrë ulen edhe kostot për bizneset.
Vlora, duke qenë se ka turizëm, çdo investim s’duhet të sjellë interesin e kundërt. Nëse nuk respektohen kriteret, mund të sjellë edhe dëme në mjedis.”, tha Nunaj.
/ abcnews.al /


