Marrëveshja e Prespës, së shpejti riemërimi i institucioneve

schedule20:30 - 31 Janar, 2019

schedule 20:30 - 31 Janar, 2019

Më 8 Shkurt, pasi Parlamenti grek të ratifikojë protokollin për aderimin e Maqedonisë në NATO, në ish-Republikën Jugosllave do të nisë zbatimi i marrëveshjes së Prespës me vendosjen e emërtimit të ri të vendit, Maqedonia Veriore, në institucione, pika kufitare dhe në përfaqësitë diplomatike.

Sipas ligjit për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, pas ratifikimit të protokollit në parlamentin grek, hyn në fuqi amandamenti 33, me të cilin emri kushtetues ndryshohet në Republika e Maqedonisë së Veriut. Pas seancës së pardjeshme të Qeverisë së Maqedonisë njoftojnë se fillon procesi për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës. Masat dhe aktivitetet e para do të jenë në përdorimin e emrit kushtetues dhe do t’i ndërmerr qeveria, si dhe të gjithë organet tjera të administratës dhe institucioneve shtetërore.

“Konform konkluzioneve, ministritë kompetente, organet shtetërore dhe institucionet, ndërmarrjet publike dhe shoqatat aksionare në pronësi të shtetit në afatin e paraparë pas hyrjes në fuqi të amendamenteve 33, 34, 35 dhe 36 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, do të duhet të kryejnë ndryshimet e tabelave në vendkalimet kufitare dhe kufijtë shtetëror të vendit, të përfaqësive konsularo-diplomatike, si dhe në hyrjet e institucioneve. Për të njëjtën procedurë, rekomandime përkatëse do të marrin edhe njësitë e vetadministrimit lokal, derisa sektorët dhe shërbimet për marrëdhënie me opinionin të institucioneve shtetërore dhe publike do të njoftohen për përdorimin e emrit kushtetues konform amendamenteve kushtetuese”.

Tabelat me emrin e ri do të përkthehen edhe në gjuhën shqipe konform Ligjit për përdorimin e gjuhëve, për çka, rregulloret e Marrëveshjes do të duhet të harmonizohen me Ligjin. Konform Marrëveshjes, Maqedonia do të duhet t’i njoftojë të gjitha organizatat ndërkombëtare ku është anëtare, se janë miratuar ndryshimet kushtetuese dhe se vendi ka emër të ri që duhet ta pranojnë dhe përdorin. Duhet t’i njoftojë edhe të gjithë anëtarët e OKB-së që ta pranojnë dhe përdorin emrin e ri. Me këtë, në komunikimin ndërkombëtar do të ndërpritet përdorimi i termave “Maqedonia”, “Republika e Maqedonisë” “IRJM” në formën e papërkthyer, si dhe referenca e përkohshme Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Marrëveshja e Prespës ka një rregullore të veçantë që ndërlidhet me dokumentet ekzistuese dhe materialeve të lëshuar nga autoritetet në Maqedoni. Të gjitha dokumentet zyrtare dhe materialet e administratës për përdorim ndërkombëtar dhe për dokumentet për përdorim të brendshëm, por që mund të shfrytëzohen edhe jashtë vendit, konform Marrëveshjes do të duhet të ripërtrihen në afat prej pesë viteve. Nga ana tjetër, lëshimi i të gjitha dokumenteve dhe materialeve, që janë për përdorim të brendshëm, do të fillojë gjatë hapjes së çdo kapitulli nga negociatat me BE-në./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!