Tensionet me Greqisë janë ndezur kohët e fundit. Në një intervistë për Abc News, me Endri Xhafon, ish-zv.ministrja e Jashtme, Edith Harxhi foli edhe për pozicionin e Shqipërisë në këtë mes.
Sipas saj, pretendimet e Turqisë, nuk cënojnë marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Greqisë, apo anasjelltas. Harxhi thekson se një marrëveshje e mirë mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk do të cenonte dhe nuk cenon marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Turqisë, ndërsa shton se çështja mes tyre është shumë më e komplikuar.
“Një marrëveshje e mirë mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk do të cenonte fare dhe nuk cenon marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Turqisë. Çështja mes tyre është shumë më e komplikuar se ajo mes Shqipërisë dhe Greqisë, për arsye se kemi territore të cilat janë shumë më të mëdha se ai i Shqipërisë dhe e dyta kemi grumbuj ishujsh të cilat janë precedentë për Greqinë dhe Shqipërinë.Një marrëveshje me Greqinë nuk do të cenonte marrëdhënien tonë me Turqinë. Ashtu sikurse nuk e ka cenuar marrëveshja me Italinë. Nuk do të kishte probleme të tilla sa i përket Turqisë. Dhe nuk shoh asnjë arsye pse Turqia mund të ndërhynte dhe mund të ketë ndërhyrë për të prishur marrëveshjen në ato momente”, u shpreh ajo.
E pyetur nëse a do ti duhet Shqipërisë të zgjedhë mes Turqisë dhe Greqisë, Harxhi tha: ‘Kjo është pyeje hipotetike. Janë të dy vende aleate dhe të ngushta me ne. Unë nuk mendoj se do të ketë ndonjë vendim të BE për sanksione ndaj Turqisë. Janë të dy vende anëtare të NATO dhe përderisa NATO ka pasur qëndrim ndërmjetësues. Unë nuk mund të marr anë edhe personalisht po të më pyesni cfarë ane mbani”, tha ajo.
Më tej, Harxhi ka komentuar edhe deklaratën e fundit nga kryeministri grek, për zgjerimin deri në 12 mijë milje në detin Jon. Kjo deklaratë ka ndezur edhe njëherë debatet në skenën politike në vend.
Lidhur me këtë Harxhi u shpreh se Greqia e ka të drejtën e zgjerimit, por sipas saj më herët e ka pasur 6 dhe tani pretendon për 12 mijë milje.
Sipas saj duhet të ngrihet një grup urgjent pune nga ana e Shqipërisë, pasi negociatat kanë ndryshuar sepse në vitin 2009 u negociua për 6 mijë milje dhe jo 12.
“Greqia në bazë të Konventës Ndërkombëtare ka të drejtë ta shtyjë territorin deri në 12 mijë milje. Deri tani Greqi e ka pasur 6. Lind pyetja pse pikërisht tani? Megjithëse ka pasur edhe më parë tentativa, por nuk e kishte çuar në Parlament. Kjo është bërë në një moment kritik që po luhet në gjeopolitikën detare. Greqia ka të drejtën e saj, më pas se si kjo e drejtë na afekton ne. Unë ndahem nga kryeministri dhe ministria e jashtme e Shqipërisë. Kjo do të sjellë probleme në marrëveshjen e ardhshme. Nëse Greqia e bën dhe e depoziton në OKB ne na lind e drejta që të mbajmë një pozicion tjetër, në 2009, kanë përfunduar negociatat për 6 mijë milje, tani duhet një grup tjetër pune. Nuk mendoj që të dijë dhe ta shohë në optikën e 12 mijë miljeve. Ne na duhet një grup pune urgjentisht. Ne tani do të negociojmë ndrysh, jo për 6 mijë milje, por për 12 mijë milje”, deklaroi Harxhi./abcnews.al