Marrëdhëniet me jashtë, diskutimi për pozicionin negociues për Grupimin e gjashtë të kapitujve

schedule19:21 - 2 Dhjetor, 2024

schedule 19:21 - 2 Dhjetor, 2024

Gjatë këtij muaji vendi ynë do të hap dhe negociatat për grup-kapitullin e radhës, për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Këtë të hënë në Komisionin për Integrimin u miratua draft Pozicioni negociues për Grupimin e VI-të të kapitujve “Marrëdhëniet me Jashtë”.

“Shqipëria i ka pararendur të gjitha përgatitjet teknike, për ta avancuar me çeljen e negociatave edhe me kapituj të tjerë gjatë vitit 2025”, ka thënë Majlinda Dhuka.

Konferenca e radhës për këtë grup-kapitull pritet të mbahet më 18 dhjetor në Luksemburg. Por opozita vazhdon të jetë kritike me qeverinë dhe kryesuesja e Komisionit, deputetja demokrate Jorida Tabaku, kërkon më shumë transparencë për këtë proces.

“Procesi i integrimit nuk mund të mbështetet vetëm në pozicionin gjeostrategjik të Shqipërisë. Është jetike që bizneset, shoqëria civile dhe qytetarët të përfshihen në këtë proces. Mbajtja e këtij procesi në dyer të mbyllura është një tjetër tregues i mungesës së transparencës nga ana e qeverisë”, është shprehur Tabaku.

“Nuk është një proces disa javor por është i shtrirë në kohë dhe zhvillohet në mënyrë graduale”, shtoi më tej Dhuka.

Grup kapitulli i “marrëdhënieve me jashtë”, është i dyti që do të hapet, pas Themelorëve, që shënoi dhe hapjen zyrtare të negociatave, më 15 tetor.