Sondazh

Berisha bëri protestë me flamur gjerman. Por ndaj dhunës së saj reagon ashpër Gjermania:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Marrëdhëniet italo-shqiptare dhe sfidat e Ballkanit në rrugën drejt BE-së/ Turco: Integrimi i domosdoshëm

schedule22:35 - 1 Prill, 2026

schedule 22:35 - 1 Prill, 2026

Një reflektim mbi marrëdhëniet italo-shqiptare, rolin e radikalëve në tranzicionin demokratik të Shqipërisë dhe sfidat e integrimit evropian të Ballkanit u soll në vëmendje gjatë emisionit “Të Gjitha Rrugët të Çojnë në Romë”, ku ishte i ftuar gazetari dhe ish-deputeti italian Maurizio Turco.

Në bisedë me gazetarin Artur Nura, Turco rikujtoi angazhimin e hershëm të radikalëve italianë në Shqipëri, që në fillimet e viteve ’90, kur vendi po dilte nga sistemi komunist. Ai theksoi se Ballkani është konsideruar gjithmonë si pjesë natyrore e Bashkimit Evropian, ndërsa kritikoi zvarritjen e procesit të zgjerimit, duke e cilësuar rajonin si një “gropë të zezë” në hartën e BE-së për shkak të mungesës së vendimmarrjes së qartë nga Brukseli.

Turco ndau gjithashtu kujtime nga kontaktet e para me politikanët e rinj shqiptarë të asaj kohe, të cilët, sipas tij, përfituan nga përvoja demokratike e sjellë nga radikalët për të ndërtuar kulturën politike në vend. Ai vlerësoi evolucionin e disa prej figurave kryesore politike shqiptare, duke theksuar se marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë kanë qenë historikisht të ngushta dhe të bazuara në miqësi.



Në intervistë u diskutua edhe për sfidat aktuale të Bashkimit Evropian, nga burokracia deri te mungesa e një politike të përbashkët për çështje kyçe si mbrojtja dhe zgjerimi. Turco nënvizoi nevojën për një Evropë më të bashkuar, duke rikthyer idenë e “Shteteve të Bashkuara të Evropës” si një zgjidhje për të ardhmen.

Biseda preku edhe çështje konkrete të rajonit, si lidhjet infrastrukturore dhe ekonomike mes vendeve të Ballkanit dhe Italisë, si dhe mungesën e pranisë së mjaftueshme italiane në disa zona, përfshirë Kosovën.

Në përfundim, Turco theksoi se integrimi i Ballkanit në Bashkimin Evropian mbetet një domosdoshmëri strategjike dhe politike, e lidhur ngushtë me vullnetin e qytetarëve të rajonit për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.

Artur Nura: Ndërkaq unë po i kujtoj teleshikuesve se ju keni qenë ndër të parët që zbuluat Shqipërinë, të sillni epokën e demokracisë. Unë personalisht kam njohur Marco Pannella, liderin historik të radikalëve, një figurë shumëdimensionale e historisë italiane, ballkanike etj., në rrugët e Tiranës kur ai denonconte mashtrimet e sistemit komunist, në zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri.

Maurizio Turco: Qysh herët ka pasur një vëmendje për Ballkanin, sepse ne e kemi konsideruar rajonin e Ballkanit jo pjesë të Evropës, por të Bashkimit Evropian. Kemi ndërmarrë iniciativa politike në kuadër të Parlamentit Evropian për pranimin e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian. Me procesin e zgjerimit, më pas pamë edhe këtë gropë të zezë në Bashkimin Evropian…

Artur Nura: Në takimin e Strasburgut, më kujtohet se ju keni përdorur këtë metaforë “gropë e zezë”.

Maurizio Turco: Gropa e zezë e Ballkanit, ne kemi një Bashkim Evropian të paplotë edhe nga këndvështrimi gjeografik, sepse nuk ka kuptim që të mbahen jashtë Bashkimit vendet e Ballkanit. Në këtë mënyrë, BE vendos gjithmonë piketa të reja, sepse nuk ka kurajë të tregojë përse jo; njëherë flasin për korrupsionin, më pas për një sistem tjetër, diçka të tillë. Ne duhet të kemi parasysh se Bashkimi Evropian në 2004, pra rreth 22 vite më parë, e ndau Qipron sepse nuk qe në gjendje të negocionte ashtu siç duhej. Janë rreth 24 vite që Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të zgjidhë problemin e 400 mijë njerëzve, nuk po arrin të zgjidhë problemin e Ballkanit; situata është e tillë që kërkon kohezion maksimal. Edhe nga ana e sigurisë ne nuk duhet të lejojmë që qytetarë…

Artur Nura: Le të qëndrojmë në kuadrin italo-shqiptar, kjo më intereson. Unë mund të kujtoj se shkolla e parë e politikës, sepse në Shqipëri sapo erdhi demokracia nuk është se kishim politikanë klasi, e këta erdhën këtu. Mbaj mend kongresin e parë, viti 1993, Edi Rama, Ermelinda Meksi, Pandeli Majko, Arben Meçaj, Petrit Malaj, nuk i mbaj mend të gjithë, të cilët mësuan se çfarë është politika. Ju kujtohet ajo kohë?

Maurizio Turco: Si jo, bënim takime ku merrnin pjesë eksponentë nga të gjitha partitë, edhe ato të vogla. E mbaj mend praninë e partive të vogla dhe atje liderët shqiptarë filluan të mësonin për demokracinë, nuk e njihnin. Kam të drejtë? Këto takime, në një farë mënyre, i ndihmuan të përvetësonin diçka të re. Mbaj mend Edi Ramën, i veshur me xhinse, në takimet tona; tani as nuk krahasohet, edhe në politikën e tij. Ai kishte një perspektivë inovative dhe erdhëm në një realitet konservator të së shkuarës. Me të drejtë kujtove Pandeli Majkon dhe Ermelinda Meksin, të cilët kishin një strukturë mentaliteti të projektuar drejt së ardhmes dhe ne e kuptuam menjëherë se cila do të ishte perspektiva shqiptare, jo vetëm brenda gjirit të BE-së, por edhe në rajon. Më pas Kosova, Maqedonia…

Artur Nura: Ka pasur edhe disa momente të rëndësishme që shkollën e politikës e bëmë jo vetëm në Romë.

Maurizio Turco: Sigurisht.

Artur Nura: Radikalët erdhën edhe në Tiranë, mblodhën Këshillin e Përgjithshëm, thirrën kongrese.

Maurizio Turco: Objektivi nuk ishte të jepnim mësim, ishte ta bënim së bashku; përfshirja në jetën e partive, përfshirja e demokracisë së brendshme në jetën e partive, si ndërtohen marrëdhëniet etj. Nuk e di nëse e kanë përvetësuar.

Artur Nura: Kanë ende për të mësuar.

Maurizio Turco: Sigurisht.

Artur Nura: Kanë mësuar; nëse flasim për Edi Ramën, ai është një profesionist, është politikan i përmasave ndërkombëtare.

Maurizio Turco: Sigurisht, ai ka karakteristikat e tij personale që e dallojnë nga shumë të tjerë.

Artur Nura: Ndaj të njëjtin mendim me ju. Ermelinda Meksi ka një pozicion të rëndësishëm në një institucion ndërkombëtar, Pandeli Majko, disa herë kryeministër; e kujtoj kur ka ardhur në Romë, një vizitë në Partinë Radikale si kryeministër dhe është takuar me Marco Pannella.

Maurizio Turco: Sigurisht. Ka ardhur edhe në Bruksel dhe pastaj është kthyer në Romë në kohën kur ishte ministër për Diasporën. Organizuam një takim me diasporën në Itali. Gjithmonë ka qenë kjo marrëdhënie jo vetëm afërsie, por miqësie; miqësi me liderët shqiptarë…

Artur Nura: Miqësia italo-shqiptare është në të gjithë këndvështrimet. Marrëdhëniet Shqipëri-Itali janë të tilla që nuk i ndeshim me fqinjët e tjerë këtu pranë, nuk po flasim për ata më larg. Sipas meje, kjo ka qenë një ndihmesë.

Maurizio Turco: Ka ndihmuar shumë sepse ka shumë zona, sidomos në jug të Italisë, ku jeton komuniteti arbëresh; ende ata flasin shqip…

Artur Nura: Radio Radikale gjithmonë ju ka lënë hapësirë nëpërmjet rubrikës “Shqipëria italishtfolëse”.

Maurizio Turco: Po, po.

Artur Nura: Duhet ta themi edhe këtë.

Maurizio Turco: Sigurisht. Në Itali është ambasada që kultivon marrëdhëniet me këto komunitete që mbajnë gjallë një kulturë, por edhe vendndodhjet historike të arbëreshëve, jo të themeluar së fundmi, pra një vazhdimësi historike në Itali. Kjo vazhdimësi historike ndihmon në mbajtjen gjallë të lidhjes, jo aq shumë me mëmëdheun sa një lidhje që shkon përtej dy vendeve, një lidhje që shkon përtej ndarjes së kombeve.

Artur Nura: Një lidhje që ka qenë përpara nesh e do të jetë edhe pas nesh.

Maurizio Turco: Sigurisht.

Artur Nura: Doja të dija, në kuadrin italo-shqiptar, por edhe radikal, mund të themi se sot radikalët nuk janë edhe aq të pranishëm, përveç Radio Radikale që asnjëherë nuk pushon së qeni e pranishme në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut etj.; demokracia funksionon, ju ishit të parët që sollët praktikën demokratike, por Partia Radikale Transnacionale, për të cilën pakicë po punon sepse sipas mendimit tim i jep zë atij që i mungon, si p.sh. kosovarëve që u mungon zëri në BE; askush nuk donte të dinte për ta; Marco Pannella, ju e të tjerët dhatë…

Maurizio Turco: Antonio Russo.

Artur Nura: Antonio Russo, ishte gazetari i fundit ndërkombëtar gjatë krizës së Kosovës, gjatë bombardimeve.

Maurizio Turco: Mundi të ikte me trenin e fundit.

Artur Nura: Në këto momente për kë po kujdeseni, kujt i mungon zëri?

Maurizio Turco: Do të të duket e çuditshme për qytetarët evropianë. Qytetarët evropianë të zënë në kurth nga burokracia; një burokraci që nuk lejon, p.sh., nuk i lejon vendet e Ballkanit të hyjnë menjëherë në BE; edhe për qytetarët italianë të mbërthyer në kurthin e një regjimi që shkon përtej partive politike. Është një tërësi institucionesh që bllokon liritë e qytetarit; ligjet elektorale që nuk i lejojnë të zgjedhin përfaqësuesit e vet; informacione që po dënohen nga institucione të vëna nën kontrollin e lirisë së informacionit. I fundit është një vendim i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që ka dënuar Italinë, Republikën Italiane, për mungesë të lirisë së shprehjes, neni 10 i Traktatit, pas denoncimit të Marco Pannella gjatë një fushate elektorale; nuk e lanë të flasë.

Artur Nura: Po flasim për Marco Pannella, duhet t’i themi teleshikuesve të ABC News se Marco Pannella ishte i pari, i vetmi që i tha BE-së se nëse duam të jemi në lartësinë e duhur, na nevojiten Shtetet e Bashkuara të Evropës; përndryshe mbetemi jashtë loje. E janë jashtë loje.

Maurizio Turco: Sigurisht, edhe sot përgjigjja është po ajo; integrimi brenda një organizate të re kalon nëpërmjet njohjes së “lirive kombëtare”, por problemet e mëdha si mbrojtja, politika e jashtme duhet të jenë të bashkuara në diçka të re, në Shtetet e Bashkuara të Evropës; politikën kombëtare secili e bën sipas objektivit të vet. Ne nuk mundemi të bëjmë politikën e mbrojtjes në këtë mënyrë; aktualisht janë të shqetësuar se mund të vijnë raketat e Iranit në Romë; ne nuk kemi mundësi të mbrohemi. Kam lexuar se është një avion që fluturon mbi detin Jon për të verifikuar nëse raketat arrijnë deri këtu. A është e mundur kjo, në vitin 2026?

Artur Nura: Janë gjëra teknike dhe nuk di të them si funksionon. Unë po kthehem nga Kosova në Romë, nga Prishtina në Romë, edhe kryeministri Albin Kurti ka qenë pjesë e iniciativave radikale, ka përvetësuar, le të themi…

Maurizio Turco: I kemi njohur të gjithë liderët e zonës ballkanike.

Artur Nura: Të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor. Unë po kthehem nga Kosova, kam intervistuar politikanë, konsulentë biznesi dhe më kanë treguar se nuk ndihet prania italiane sepse mungojnë fluturimet; mund të ndërmerret një iniciativë. Në Shqipëri ka më shumë se 100 fluturime në muaj me Italinë. Me Kosovën vetëm një.

Maurizio Turco: Shikoni, 3 vjet më parë patëm një ide të mbanim një kongres në Prishtinë, por ato ditë ndodhi ngjarja me serbët në kufi. Dua të them se nëse BE nuk ndryshon, ajo duhet të ndryshojë; jo të bëhet më e fortë, por të lejojë integrimin e Ballkanit, të Ukrainës, të integrojë të gjithë ata që duan të integrohen.

Artur Nura: Vullneti i tyre.

Maurizio Turco: Po, ka një vullnet popullor, jo vetëm politik të liderëve për të hyrë në BE, të bëhen pjesë e familjes evropiane me rregullat e familjes; pse jo? Nuk i kuptoj këto përpjekje; kemi dashur ta bëjmë një ishull të lumtur, që është gjithmonë i palumtur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!