Marrëdhëniet greko-turke dhe “faktori Biden”

schedule20:02 - 19 Qershor, 2021

schedule 20:02 - 19 Qershor, 2021

Nga Ronald Meinardus “New Europe”

Kjo javë ka qenë e mbushur me aktivitete diplomatike, të cilat kulmuan me një takim midis presidentit të SHBA-së Joe Biden me homologut të tij rus, Vladimir Putin. Përveç atij që mund të quhet “samiti i samiteve”, ditët e fundit u zhvilluan edhe takime të tjera politike të nivelit të lartë.

Në fillim gjatë samitit të G7-ës, dhe më pas në kuadër të samitit të NATO-s në Bruksel. Ky është fillimi i një faze të re në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe një rikthim tek diplomacia dhe parashikueshmëria, pas viteve të paparashikueshme e të trazuara të epokës Trump.

Efekti i këtij ndryshimi të fundit ka ndikuar edhe tek marrëdhëniet midis Greqisë dhe Turqisë. “Akulli është thyer!”- tha një zyrtar grek pas takimit të zhvilluar midis presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në kuadër të samitit të NATO-s më14 qershor.

Takimi kokë më kokë në Bruksel ishte i treti midis 2 udhëheqësve, që kur Mitsotakis mori detyrën në korrikun e vitit 2019. Pak përpara takimit të tyre të fundit në dhjetor 2019, që u zhvillua në Londër, Turqia nënshkroi një marrëveshje detare shumë të diskutueshme me qeverinë e Marrëveshjes Kombëtare (GNA) në Libi, e cila pretendon një sferë ekskluzive ekonomike të ndikimit në Mesdheun Lindor.

Ky pakt injoron ekzistencën e disa ishujve grekë, përfshirë Kretën dhe Rodosin. Marrëveshja u refuzua nga Athina dhe shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar, të cilët thanë se ajo ishte sa “e pavlefshme”aq edhe “gjeografikisht absurde”. Marrëveshja e Erdogan me Libinë, çon drejt një prishje virtuale të ndërveprimeve diplomatike midis Greqisë dhe Turqisë. Në verën e vitit 2020, konflikti në Mesdheun Lindor i çoi të dy aleatët e distancuar të NATO-s në pragun e një konfrontimi ushtarak. “Tani po dalim nga situata më e keqe”- thotë Mustafa Aydin, ekspert i marrëdhënieve Greko- Turke në Universitetin Kadir Has në Stamboll.

Një burim i qeverisë greke e quajti takimin 50-minutësh midis Mitsotakis dhe Erdogan si “një hap drejt një vere më të qetë”, dhe që “simbolizon klimën e mirë të përgjithshme”, teksa ka edhe ndjenjë mirëkuptimi midis të dyja palëve se ajo që ndodhi në vitin 2020, nuk duhet të përsëritet më.

Njëkohësisht, Athina dhe Ankaraja, bënë të ditur se ndërsa raportet mund të jenë përmirësuar, ndryshimet thelbësore midis tyre janë ende aty. Lista e mosmarrëveshjeve është e gjatë dhe përfshin konflikte thelbësore, dhe sidomos mbi çështje procedurale që kanë të bëjnë me zgjidhjen e konflikteve.

Athina dhe Ankaraja nuk bie ende dakord se çfarë duhet të përfshihet në rendin e ditës. Ndërsa fokusi grek është demarkacioni i shelfit kontinental, që do të zgjidhte edhe çështjen e zonave detare, Turqia sjell rregullisht në tryezë çështje shtesë.

Këto përfshijnë situatën e pakicës myslimane turqisht-folëse në Trakinë Perëndimore, përcaktimin e ujërave territoriale dhe militarizimin e ishujve grekë në pjesën Lindor të Detit Egje. Për qeveritë greke, kjo e fundit ka qenë një qasje e gabuar e nisjes së bisedimeve.

Një mision shumë i vështirë

Arritja e një kompromisi mbi këto çështje mbetet një mision shumë i vështirë edhe në kushtet më të favorshme. Dhe kjo është e qartë nëse shihni një studim të botuar rishtas mbi opinionin publik. Sipas raportit, shumica e turqve e cilësojnë çështjen e militarizimit të Egjeut si pikën

kryesore të grindjes midis dy fqinjëve – shumë më lart çështjes së Qipros, e cila tradicionalisht ka qenë në krye të shqetësimeve të publikut.

Termi “axhendë pozitive” është shndërruar në një fjalë kyçe për marrëdhëniet e jashtme të Turqisë. Bashkimi Evropian i ka ofruar Ankarasë një sërë projektesh bashkëpunimi nën titullin “axhendë pozitive”, me kushtin që qeveria turke të përmbushë disa kritere të përcaktuara qartë.

Ky koncept ka gjetur tani qasje edhe në fjalorin e marrëdhënieve greko-turke. Përpara samitit të Brukselit, kryeministri Mitsotakis e shpjegoi konceptin e bashkëpunimit të kushtëzuar, duke përdorur formulimin e konkluzioneve të samitit të BE-së në muajin mars:

“Ne jemi gjithnjë të hapur për një axhendë pozitive, tha ai, por për një axhendë graduale, proporcionale dhe të reciproke… me kushtin që të ruhet de-përshkallëzimi aktual, dhe që Turqia të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në dialog, dhe të respektojë kushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian”- tha ai.

Sinkronizimi i politikës greke dhe asaj të BE-së përkundrejt Turqisë, është një element i ri i rëndësishëm në marrëdhëniet greko-turke. Nga një perspektivë greke, ky hap mund të quhet rezultati më i suksesshëm i një përpjekje sistematike për të ndërkombëtarizuar çështjet dypalëshe, duke kërkuar mbështetje politike – dhe gjithnjë e më shumë edhe ushtarake – në arenën ndërkombëtare në konfliktin me Turqinë.

Për Erdogan, manovrat diplomatike të Greqisë janë një halë në sy. Kundërshtimi i ndërkombëtarizimit dhe kërkimi i “bilateralizimit” të procesit politik, është një tipar i vazhdueshëm i strategjisë së Ankarasë ndaj Greqisë.

“Palët e treta nuk duhet të përfshihen në marrëdhëniet tona”-deklaroi Erdogan në konferencën për shtyp pasi u takua me Mitsotakis në Bruksel. Ndërkohë, Athina po ndjek politikën e zgjerimit të rrjetit të saj politik dhe diplomatik, me një shtrirje të thellë ku përfshihet edhe bota arabe. Tanimë nuk është një sekret fakti që në fund të fundit të gjitha këto përpjekje synojnë të neutralizojnë atë që grekët e perceptojnë si “kërcënimin turk”.

Mishërimi i Filhelenizmit

Nuk ka asnjë dyshim, se zhvillimi më i rëndësishëm dhe me shumë ndikim në dinamikën e marrëdhënieve greko-turke ka qenë “faktori Biden”. Në përgjithësi bota ka filluar të përjetojë ndikimin e largimit të Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë.

Era e ndryshimit ndihet edhe në marrëdhëniet greko-turke. Qasja demonstrative e Trumpit për t’i lënë gjërat të zhvilloheshin në mënyrën e tyre, ishte e dobishme për skemat revizioniste të Erdogan. Ndërkohë multilateralizmi i Biden, dhe kuptimi i bazuar në rregullat të marrëdhënieve ndërkombëtare, po ia vështirësojnë jo pak veprimtarinë presidentin turk.

Analistët e kanë etiketuar me të drejtë Erdogan si një “shok politik” të Donald Trump. Ndërkohë, Joe Biden mund të cilësohet si një mishërim i Filhelenizmit politik.“ Nëse keni nevojë për ndonjë gjë, unë jam këtu për t’ju ndihmuar”- i tha presidenti amerikan kryeministrit Grek në fillim të këtij viti. Athinës i kishte munguar prej shumë kohësh kjo lloj mbështetjeje. Me Uashingtonin – dhe Brukselin pas tyre, grekët po negociojnë me turqit me një ndjenjë të re besimi.

Shënim: Ronald Meinardus, analist politik, drejtues i zyrës së Stambollit për Fondacionin Friedrich Naumann për Lirinë.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!