Giuseppe Marotta, administratori i deleguar i Interit, ka dhënë një intervistë për “Sky Sport” dhe sigurisht nuk mund të lihet jashtë vëmendje një prej lojtarëve kryesorë të zikaltërve, argjentinasi Lautaro Martinez. Sulmuesi mund të largohet për 111 milion euro, por kjo klauzolë ka një afat dhe Marotta thekson se Interi është një klub që dëshiron të blejë, e jo të shesë.
“Ne duam të forcojmë ekipin, Lautaro është një djalë interesant që po bëhet kampion falë Conte, klubit dhe vetës. Ka cilësi të shkëlqyera dhe ende nuk e ka arritur maksimumin. Inter, si klubet e mëdha, nuk e ka tendencën për të shitur, por për të blerë lojtarë.
Ka një klauzolë që skadon më 7 korrik. Të shohim se çfarë do të bëjë Barcelona. Sot llogaritë i bëjmë me Lautaron në shërbim të ekipit, për të dhuruar sa më shumë kënaqësi”, tha fillimisht Marotta, i cili më pas foli edhe për dy lojtarë të tjerë, si Nainggolan dhe Icardi.
“Nainggolan është i rëndësishëm. Kur të përfundojë huazimin me Cagliari do të kthehet me ne. Më pas do të bëjmë zgjedhjen tonë. Sa i takon Icardit, mendoj se ishte një operacion shumë pozitiv. Fillimisht ishte në huazim me të drejtë blerje dhe më pas pati një zbritje nga PSG. Besoj të dyja palët janë të kënaqura me marrëveshjen e bërë”, u shpreh Marotta. /abcnews.al