Janë ende fëmijë, por e kuptojnë shumë mirë se çfarë do të thotë nënë. Shoku i tyre i klasës ishte dikur një ndër më të mirët, por që nga shtatori i vitit të kaluar, ai ka rënë nga mësimet. Nëna e Mariglenit, Valbona Lluka, ndodhet prej mëse 219 ditësh në gjendje kome…
Shokët e shoqet e klasës së Mariglenit rrëfyen për “Shqiptarët për Shqiptarët” gjendjen në të cilën e gjejnë tashmë shokun e klasës. Është i heshtur, mendja e tij nuk është më tek mësimet. Edhe ata e vuajnë kur shohin se me çfarë është duke u përballur shoku i klasës. Siç e shpjegon njëri prej shokëve, Marigleni ka “dhimbjen e vetmisë, i mungon nëna”…
“Marigleni është shoku ynë. Ka qenë me rezultate shumë të larta, ishte nxënësit më i mirë. Për shkak të asaj që i ka ndodhur me nënën, ka rënë me mësime. Është shumë i edukuar por tashmë preket shumë shpejt. Më vjen shumë keq, dua ta ndihmojmë, me gjithë zemër. Ne s’mundemi”-tregon shoqja e klasës.
“Ka qenë i gëzuar… por kohët e fundit prej fatkeqësisë që i ndodhi, ai tani është shumë i mërzitur, shumë i mbyllur. Ka dhimbjen e vetmisë, i mungon nëna. Pasi dëgjova tragjedinë e tij, gjithmonë çdo ditë sa herë që zgjohem, përqafoj nënën time… thjesht jam pa fjalë. Unë shpresoj shumë që pasi shqiptarët ta dëgjojnë historinë e tij, t ndihmojnë, sepse ai është thjesht një fëmijë… një fëmijë i pafajshëm.”-rrëfen për “Shqiptarët për Shqiptarët” një shok i klasës së Mariglenit.
“Marigleni është shoku im i ngushtë dhe tek ai kam parë shumë ndryshim. Dikur dilnim jashtë, luanim por tani ai shumë pak, luajmë shumë rrallë. Fatkeqësia që i ndodhi ishte një problem shumë i madh. Jetoj afër me të dhe bashkë me shokët e shoqet, e mësuesit, menduam të vijmë tek ju, që ta ndihmojmë Mariglenin.”-rrëfen shoku i 12 vjeçarit.
“Unë mundohem ta ndihmoj me detyrat, t’i jap këshilla, që të mos ndihet vetëm. Të jetë njësoj si ne.”-tregoi një shoqe e klasës.
“Mundohemi të mos flasim për tema që ia gërryejnë plagën, mundohemi të mos i flasim për atë.”-thotë një tjetër shoqe e klasës e Mariglenit.