Marantas: Nuk funksionoi asgjë, Luftëtarit i duhen 5 përforcime

schedule15:20 - 14 Dhjetor, 2019

schedule 15:20 - 14 Dhjetor, 2019

Giorgos Marantas, trajneri i Luftëtarit, pranoi se ekipi i tij me Laçin luajti dobët. Në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, tha: “Sa i takon problemeve jashtë fushë, ata që duhet t’i dinë, i dinë. Mua më takon të merrem me pjesën e fushës. Laçi ishte më mirë se ne. Gabuam te rastet e golave, dhamë katër topa. Nuk i kërcënuam njëherë ose dy herë. Nuk funksionoi asgjë dhe ky ishte rezultati”.

“Jemi në situatë të keqe, kemi shumë pikë më pak se rivalët. Nuk mund të tallemi, e vetmja gjë është që të mundohemi të jemi mbi Flamurtarin. Kemi shumë diferencë me të tjerët. Për ta ulur këtë diferencë, duhet përforcuar ekipi. Pjesa jashtë ekipit është punë e të tjerëve”.

“Nuk bëmë mirë as në sulm, as në mbrojtje. Ishte ditë shumë e keqe, ndaj një kundërshtari shumë të mirë. Këta djem po mundohen të bëjnë më të mirën. Duan ndihmë, pasi luftojnë për këtë ekip dhe të ardhmen e tyre”.

“Duhen pesë lojtarë me eksperiencë, që ta njohin futbollin shqiptar. Pra të jenë lojtarë vendas. Kjo është punë e klubit. Kur të vijnë ata, duhet që të punojmë t’i lidhim me të tjerët dhe të bëjmë një ekip. Lojtarët aktualë kanë vlerë, por kanë nevojë për ndihmë nga lojtarë me eksperiencë. Kjo u duk ndaj një ekipi të vështirë si Laçi. Ndeshjen e radhës duhet ta fitojmë, që të kemi shpresë për të ardhmen”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!