Luftëtari u rikthye te marrë pikë në kampionat pas tre humbjeve rresht. Bluzinjtë barazuan pa gola në shtëpi kundër Teutës. Objektivi kryesor ishte marrja e fitores, teksa Giorgios Marantas e analizoi në këtë mënyrë ndeshjen e sotme në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
BARAZIMI – “Si shkoi ndeshja, edhe me aksionin e fundit që humbëm, mund të them që e doja fitoren, edhe unë edhe lojtarët e mi. Luanim me një ekip të fortë. E pranoj këtë rezultat”.
PIKA – “Jam pak i mërzitur, sepse sot doja 3 pikët. Kur fitojnë ekipet që janë mbi ne, nuk mjafton një pikë. E pranojmë barazimin, por duhet të marrim më shumë pikë akoma”.
MBIJETESA – “Që të jemi afër qëllimit, duhet të marrim, e pakta, edhe shtatë pikë. Deri në fund të kësaj faze, duhet t’i marrim këto pikë. Në janar mund të bëjmë një merkato të mirë dhe duhet të kalojmë disa ekipe për të qëndruar në kategori. Nuk ka rëndësi a do jem unë. Kushdo që të jetë, nevojitet merkato në janar. Ka shumë vështirësi në ekip. Ekipi është i tifozerisë dhe dua t’i falënderoj që ishin të pranishëm sot”.
ARBITRI – “Dua të them edhe diçka. Dua të ketë pak respekt për këtë ekip historik. Luftëtari i ka dhënë shumë futbollit shqiptar, ka histori dhe duhet të ketë respekt. Nuk flas për arbitrat, sot e komplimentoj, është i zgjuar dhe dëshiroi lojën e shpejtë. I dha rreth 20 faulle Teutës, një moment i dha edhe topin që Teuta ta niste lojën shpejt. Kjo tregon se është një arbitër i zgjuar”. /abcnews.al