Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria në kërkim të zgjidhjes së problemit midis tyre

schedule19:48 - 17 Qershor, 2021

schedule 19:48 - 17 Qershor, 2021

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev shkoi të enjten në Sofje të Bullgarisë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të problemeve midis dy vendeve. Zoti Zaev ka paraqitur propozime konkrete, siç njoftoi homologu i tij bullgar, Stefan Janev, por ato nuk janë bërë ende publike. Problemi po mban peng jo vetëm përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, por edhe të Shqipërisë, për shkak se vendet më me ndikim në Bruksel dëshirojnë që bisedimet të hapen njkohësisht si për Shkupin edhe për Tiranën.

Autoritetet qeveritare maqedonase janë të vetëdijshme se një zgjidhje e problemit të vjetër bullgaro-maqedonas nuk mund të gjendet brenda pak ditësh, përpara takimit të Këshillit Evropian në Bruksel, ku si Shkupi edhe Tirana presin një datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Zoran Zaev ka udhëtuar me një pjesë të kabinetit të tij në vendin fqinj ku ka paraqitur propozime konkrete për zgjidhjen e problemit, ashtu siç njoftoi në një konferencë shtypi homologu i tij bullgar, Stefan Janev. Por, asnjëri nga kryeministrat nuk dha hollësi mbi këto popozime.

Zoran Zaev, nga ana tjetër theksoi propozimin e Portugalisë, e cila aktualisht ka radhën e kryesimit të Bashkimit Evropian, si një bazë e mirë, që sipas tij do të çonte drejt zgjidhjes. Ai nënvizoi edhe atë që në Shkup njihet si “udhërrëfyesi” drejt BE-së, apo në Sofje si “hartë udhëtimi”, për bashkëpunim në të gjitha fushat e mundshme me afate konkrete dhe për intensitetin e punës së Komisionit të çështjeve historike dhe arsimore midis dy vendeve.

Zaev tha se problemi i dyanshëm duhet të zgjidhet midis dy vendeve.

Ndërkohë, kryeministri bullgar Stefan Janev tha se çështja duhet të zgjidhet “në kuadër të rregullave dhe të dialogut që do të pastrojë gjërat midis nesh, për të mos i lënë probleme të pazgjdhura familjes evropiane (BE-së)”.

Ndërkohë që të dy palët shpresojnë në një zgjidhje përmes dialogut të hapur dhe të sinqertë, kryeministri i përkohshëm bullgar tha se:​

“Ne e mbështesim fuqimisht perspektivën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë si dhe të vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, ndërsa theksoi nevojën e respektimit të Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë me Maqedoninë e Veriut të arritur në vitin 2017.

Zaev në Sofje u takua edhe me drejtues të tjerë të partive politike, teksa u prit edhe nga presidenti Rumen Radev.

Një nga elementet në propozimin portugez ka të bëjë me zotimin që Maqedonia e Veriut të pranojë se gjuha maqedonase është kodifikuar në vitin 1945. Por, Bullgaria ngul këmbë që të theksohen rrënjët e gjuhës maqedonase, përkatësisht të qenurit e saj një dialekt perëndimor i bullgarishtes.

Dy vendet po ashtu nuk kanë arritur të merren vesh mbi ‘historinë e përbashkët’, siç e kanë quajtur ekspertët e të dy palëve, përfshirë përkatësinë etnike të disa prej figurave më të shquara historike dhe kulturore që të dyja palët i llogarisin si të tyre./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!