Maqedoni, Xhaferi: Ligji i Gjuhëve, në përputhje me rregulloren

schedule21:06 - 14 Mars, 2018

schedule 21:06 - 14 Mars, 2018

Pas votimit të ligjit të gjuhëve, kryetari i Kuvendit maqedonas, Talat Xhaferi, ka mbrojtur procesin duke deklaruar se votimi ishte mbajtur sipas rregullores. Ndërsa VMRO paralajmëroi padi ndaj tij dhe ligjit për të verifikuar kushtetueshmërinë.

Ligji për përdormin e gjuhëve është miratuar në përputhje me regulloren e punës së Parlamentit dhe në asnjë rrethanë nuk janë shkelur proceduarat. Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ka qenë i prerë sa i takon votimit të ligjit të kontestuar nga opozita, në fund të seancës së tensionuar. Në një konferencë për shtyp, Xhaferi ka bërë të ditur se nuk do të marrë masa ndaj sjelljes së ish-kryeministrit Gruevski edhe pse ka shprehur bindjen se veprimin e tij do ta dënojnë qytetarët.

“Në mandatin tim nuk do të lejoj që Parlamenti të shndërrohet si ai i 24 Dhjetorit 2012, apo 27 Prilli i vitit të kaluar. Sjelljen e Nikolla Gruevskit sot nuk ka nevojë ta komentoj unë, pasi komentet do t’i bëjë çdo qytetar që ka përcjellë ngjarjet e sotme”, ka thënë Xhaferi.

Po në një konferencë për shtyp, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Miçkoski, ka paralajmëruar padi penale ndaj kreut të Kuvendit, për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve. Miçkoski ka deklaruar se ligji për gjuhët u miratua në bazë të një marrëveshjeje mes LSDM-së dhe BDI-së, pa marrë parasysh pasojat e tij.

Ndaj, kreu i opozitës ka paralajmëruar ndërmarrjen e një nisme në Gjykatën Kushtetuese për të verifikuar kushtetueshmërinë e ligjit. Ndërsa LSDM, në reagimin e saj ka kritikuar Gruevskin dhe VMRO-në, duke deklaruar se veprimet e tyre bien ndesh me ato të Maqedonisë dhe qytetarëve të saj.

“Njëkohësisht kjo vërteton se Hristijan Miçkoski, si lider i kësaj partie është një marionetë e Nikolla Gruevskit dhe nuk ka kapacitetet e duhura që të reformojë VMRO-në. Gruevski, i cili për 11 vjet, përmes krimit, dhunës dhe urrejtjes ka shkatërruar Maqedoninë, vazhdon të punojë kundër interesave të saj”, thuhet në një komunikatë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!