Maqedoni, vijon debati për ndryshimet kushtetuese

schedule19:01 - 16 Tetor, 2018

schedule 19:01 - 16 Tetor, 2018

Debatet mbi ndryshimet kushtetuese në Maqedoni kanë patur momente tensioni pasi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi nuk i ka dhënë leje liderit të opozitës për të mbajtur një fjalim. Ndërkohë, kryeministri Zaev i ka shtrirë sërish dorën e bashkëpunimit VMRO-DPMNE-së.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, ka refuzuar kërkesën e opozitës maqedonase që t’i lejohet liderit të tyre Mickovski t’u drejtohet deputetëve. Xhaferi ka theksuar se nuk ekziston një mundësi e tillë në rregulloren e Kuvendit, duke reaguar edhe në faktin që letra nuk i është adresuar atij si kryeparlamentar.

Xhaferi: “Së pari, kërkesa juaj nuk është në rregull, sepse nuk përputhet me rregulloren e Kuvendit. Pastaj, mbiemrin Xhaferi mund ta gjeni në fshatin tim Forinë, por Talat Xhaferi në Kuvend është një person tjetër. Ai është kryetari”.

Ndërkohë, deputetë të VMRO-DPMNE-së kanë hequr dorë nga diskutimi në parlament, sic thuhet pas thirrjes së liderit të tyre partiak, pasi nuk iu mundësua t’i drejtohej deputetëve. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev edhe sot është prononcuar për falje dhe pajtim, duke shtuar se është i gatshëm të takohet me liderin e opozitës për kapërcimin e situatës së krijuar.

Zaev: “E mirëpres propozimin që të ulem me liderin Mickovski për të biseduar. Gjithmonë kam qenë për dialog dhe besoj se vetëm përmes dialogut mund të gjendet zgjidhja. Për këtë arsye i drejtohem Parlamentit, mjaft me ndarje e përçarje”.

Ndërkohë, deputetë të opozitës maqedonase të akuzuar për ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit janë liruar nga arresti shtëpiak dhe pritet të marrin pjesë në seancën plenare ku po diskutohen ndryshimet kushtetuese. Lirimi i tyre në opinionin në Maqedoni është interpretuar si fillimi i pajtimit dhe faljes së paralajmëruar nga kryeministri Zaev. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!