Maqedoni, Kryetari i shkarkuar i lëvizjes Besa hyn me dhunë në seline e Shkupit

schedule18:58 - 8 Janar, 2018

schedule 18:58 - 8 Janar, 2018

Përçarja brenda partisë shqiptare Besa në Maqedoni ka degjeneruar në dhunë. Kryetari i shkarkuar, Bilall Kasami ka hyrë me forcë bashkë me disa persona të tjerë në selinë e partisë në Shkup. Gjithashtu disa pjesëtarë të Lëvizjes Besa pretendojnë se janë mbajtur me dhunë brenda selisë.

Kryetari i shkarkuar i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, së bashku me disa persona të armatosur është futur me dhunë në selinë e kësaj partie në Shkup. Sipas mediave shqiptare të Maqedonisë, ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së hënës. Menjëherë pas këtij veprimi, pjesëtarët që ishin përgjegjës për sigurimin e objektit i janë drejtuar organeve të rendit.

Nexhbedin Ramani, drejtues i kompanisë së sigurimit: “Në orën 9:30 minuta erdhën disa njerëz të paautorizuar, as vetë nuk i njoh kush janë dhe me forcë thyen derën hyrëse dhe derën e pasme të partisë Besa dhe aty ishte edhe kryetari i shkarkuar Bilall Kasami derisa kryej thyerja. Ai hyri brenda. Ishin rreth 22 persona, s’pata kohë ti numëroj. Po hynë me forcë, ne nuk jemi këtu të kacafytemi për shkak të disa gjërave, përveç që lajmëruam në stacion policor”.

Pasi hynë në godinë, shoqëruesit e Kasamit kanë mbajtur peng personat që ishin prezent në selinë e shkupit. Kjo konfirmohet dhe nga ky anëtar i Lëvizjes Besa i cili ka folur për mediat shqiptare të Maqedonisë.

Anëtar i lëvizjes Besa: “Na kanë majt me dhunë brenda. Ishim jashtë këtu, pastaj na kanë mbajt me dhunë brenda për 40 minuta, ja këta njerëzit përjashtë që janë, ata grupi tjetër. Na futën brenda dhe nuk folën asgjë. Ne jemi pjesë e degës së Shkupit. Na thonin mos lëvizni, s’keni me lëviz, 40 minuta na kanë mbajtur brenda”.

Pas hyrjes me forcë në seli, Abdush Demiri nga radhët e mbështetësve të Bilall Kasamit tha se të gjithë ata që kanë penguar hyrjen në seli të Kasamit, do të përgjigjen penalisht.

Abdush Demiri, anëtar i lëvizjes Besa: “Organet e rendit përfunduan procedurat e tyre dhe me siguri që pas kësaj do të pasojnë edhe padi penale për të gjithë ata që janë të përfshirë në uzurpimin e selisë së Lëvizjes Besa”.

Ndërkohë, Bilall Kasami duket se nuk ka më mbështetje në Lëvizjen Besa. Anëtarët e Kryesisë Qendrore dhe të Këshillit Qendror të kësaj partie në Tetovë kanë mbështetur vendimin e Këshillit Qendror të Lëvizjes Besa në Shkup që kryetari i ri të jetë Nexhbedin Kahramani. Ky i fundit ka shpërndarë edhe një deklaratë për media. Duke dënuar ngjarjen në selinë e partisë në Shkup, Kahramani tha se ekstremistët dhe Bilall Kasami po dhunojnë Lëvizjen Besa./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!