Materiali në vijim na njeh me ndryshimet që do të sjellë ligji për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni si dhe për masat ndëshkuese rreth moszbatimit të tij.
Ligji për gjuhët, tashmë i miratuar në Kuvendin e Maqedonisë, parashikon zgjerimin e përdorimit të gjuhëve të bashkësive etnike që përbëjnë mbi 20% të numrit të përgjithshëm të popullatës në këtë shtet. Përdorimi i saj është në përputhshmëri me ligjin.
(1) Në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik.
(2) Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabet i saj, në përputhshmëri me ketë ligj.
(3) Në të gjitha organet të pushtetit qendror, institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike, drejtoritë, komisionet, personat juridik të cilët kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj është edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj.
Përdorimi i gjuhës shqipe është zgjeruar edhe në institucionet gjyqësore, procedurat hetimore, para-hetimore, ekzekutive, administrative, aktet noteriale, librin amëz, certifikata e lindjes si dhe në procedura tjera. Sa i përket dokumenteve të udhëtimit si pasaportat dhe letërnjoftimet me ndryshimet thuhet se më kërkesë të individëve jepen në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë si dhe në gjuhën maqedonase.
Në dy gjuhë publikohen edhe mbishkrimet e institucioneve në nivel qendror dhe në komunat ku të paktën 20% e qytetarëve të Maqedonisë, flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja. Në dy gjuhë do të lëshohen edhe pullat postare. Sipas nenit 18, emrat e rrugëve, sheshet, urat dhe objekte tjera infrastrukturore në komunat ku së paku 20% e popullatës flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe në Shkup, shkruhen në maqedonisht dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e popullatës. Gjuha shqipe gjen zbatim edhe në vendkalimet kufitare dhe në aeroporte.
Zbatimi në praktikë i ligjit të miratuar pritet të bëhet nga agjencia për zbatimin e gjuhëve, e përbërë nga përkthyes të autorizuar gjyqësor, linguist, filozofë të diplomuar në gjuhën shqipe si dhe lektorë të liçensuar. Gjithashtu është parashikuar edhe formimi i inspektoratit për përdorimin e gjuhëve. Për moszbatimin e ligjit, janë parapashikuar dënime deri më 5 mijë euro për institucionet dhe 30% e kësaj vlere për personat zyrtarë dhe përgjegjës në organet përkatëse./abcnews.al